Nga Budapesti, ku ndodhet për përurimin e statujës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, në një intervistë për Top News.
Veliaj tha se ideja për vendosjen e bustit të Skënderbeut në Budapest, ka qenë që në kohën kur Edi Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës.
“Mes Hungarisë dhe Shqipërisë ka prej vitesh një aleancë nga më uniket. Një aleancë që i ka zanafillat që në kohën e Skënderbeut, por që vijon edhe në ditët e sotme. Ne kemi shumë studentë dhe një komunitet fantastik shqiptarësh në Budapest, ndërkohë kemi kompani, duke filluar me kompanitë ajrore, të bankave, shumë shpejt, besoj kompani telekomunikacioni, ndaj sot marrëdhëniet janë politike. Hungaria është një ndër avokatët më të mëdhenj të Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe pa ndryshuar qëndrimin e vet”, u shpreh Veliaj.
Gjithashtu kryebashkiaku bëri me dije edhe disa projekte të që po zhvillohen në Tiranë, sidomos gjatë muajve të verës, ndërkohë që kryeqytetasit janë me pushime.
“Gjatë korrikut dhe gushtit e gjithë Tirana do të jetë kantier jo vetëm infrastruktura rrugore, por kryesisht infrastruktura e ujit. Ne kemi disa linja, tubacione në projektin që kemi me kompaninë e ujit të Budapestit, pra “Budapest Water Works”. Pjesë e strategjisë tani është që ne të kalojmë nga pjesa e zgjerimit të Bovillës dhe kapacitete të filtrimit në impiantin tonë, tani të shkojmë në nivelin kapilar. 70- përqind e Tiranës tani e kanë parë këtë transformim. Por na ka ngelur dhe ky 30 përqindëshi tjetër”, nënvizoi ai.
Statuja e heroit tonë kombëtar, Gjergji Kastrioti Skënderbeu është vendosur sot në parkun qendror të Budapestit, përballë statujës së bashkëkohësit të tij, heroit të Hungarisë, Janosh Huniadit. Vendosja e bustit është nismë dhe dhuratë e Bashkisë së Tiranës për qytetin e Budapestit.