Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë, ka orgamizuar një takim online me kamiponin e botës në gjimastikën artistike. Matvei Petrov, pasi u shpall kampion bote në Gjimnastikën Artistike për ngjyrat kuqezi, objektivi i radhës i gjimnastit rus, Matvei Petrov, tashmë është medalja e parë në historinë e Shqipërisë në Lojërat Olimpike.
Së bashku me trajnerin Alon Hasa, sportisti rus, i cili përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ka marrë përgëzimet e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Përmes një bisede online, Veliaj e uroi Matvein për medaljen e arit në Kupën e Botës në Osijek të Kroacisë, ndërsa i ka uruar të njëjtin sukses edhe në Olimpiadën e Japonisë.
“Je zyrtarisht numri një në botë! Le të sigurohemi që kjo të zgjasë për një kohë të gjatë,” u shpreh Veliaj, i cili nga ana tjetër siguroi se në Tokio gjithçka është gati për stërvitjen e kampionit. “Kam lajme të mira: Sot do t’ju kalojmë sponsorët që të keni fonde për përgatitjet në Japoni. Do kesh mundësi të shfrytëzosh palestrën në periferi të Tokios, që kur të transferohesh te fshati olimpik të jesh super në formë,” tha Veliaj.
Ndërkaq, Veliaj theksoi se suksesi i gjimnastëve që krenojnë Shqipërinë në kompeticione ndërkombëtare duhet të na shërbejë edhe si frymëzim për formimin e një brezi të ri sportistësh të motivuar. Kjo falë edhe mundësisë që ka krijuar Tirana me shkollat e reja ku një standard të ri kanë krijuar edhe ambientet sportive.
“Shpresoj që shembulli yt të shihet si mundësi për të ndërtuar bashkë një program, me anë të të cilit të inkurajojmë fëmijët e vegjël. Jemi në proces të përfundimit të disa shkollave të reja dhe kemi rënë dakord nga hera e kaluar që një nga palestrat të jetë e specializuar për gjimnastët,” u shpreh Veliaj.
Sipas Matvei Petrov, gjimastika për shumë njerëz nuk është një sport interesant, por ai theksoi se këtë sport nuk e bëjnë vetëm për vete,por edhe që ta shikojnë të tjerët.
“Për shumë njerëz nuk është interesante, por ne nuk e bëjmë vetëm për veten. Të tjerët duhet ta shikojnë, gjimnastika ka ndryshuar vitet e fundit,” u shpreh kampioni Petrov.
Kjo nuk është hera e parë që gjimnasti, Matvei Petrov, i cili erdhi nga Rusia për të përfaqësuar Shqipërinë, lartëson vendin tonë. Më herët, Shqipëria fitoi medaljen e artë në Kampionatin Europian të Gjimnastikës i cili u zhvillua në Turqi.