Leo Messi është një “elektron i lirë” për momentin. Ai nuk ka një klub futbolli, me të cilin lidhet kontraktualisht. Ylli argjentinas ishte me pushime deri dje, kur zbarkoi në Katalonjë, në pritje që e ardhmja e tij të vendoset me Barcelonën.
Këto ditë si i papunë po i shfrytëzon në maksimum pranë fëmijëve, me të cilët ka nisur të luajë edhe futboll në kushtet e shtëpisë. Kështu, gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë” postoi një video në rrjetet sociale, ku luan futboll me dy nga fëmijët e tij, Thiago dhe Mateo, si dhe një djalë tjetër.
Messi u kthye në Barcelonë të mërkurën, pasi fitoi Kupën e Amerikës dhe është ende i relaksuar. Ai pret që Laporta të jetë në gjendje ta bëjë realitet rinovimin e tij, pasi i ka skaduar kontrata që më 30 qershor. Në fakt, presidenti i Barçës ka qëndruar në zyrë dhe nuk ka shkuar në Gjermani me ekipin, sepse duhet të zgjidhë të ardhmen e Leos sa më shpejt të jetë e mundur.