Christian Eriksen është ndier krenar me bashkëlojtarët e vet në ekipin kombëtar të Danimarkës, të cilët e arritën gjysmëfinalen në Euro 2020 pas fitores 2:1 kundër Republikës së Çekisë të shtunën, në një mesazh që ua kishte dërguar atyre në Whatsapp.

Erikseni e pësoi një arrest kardiak në ndeshjen hapëse të Danimarkës kundër Finlandës në Euro 2020 dhe si pasojë i është nënshtruar një operacioni për vendosjen e një defibrilatori kardioverter të implantueshëm në zemër (ICD).

Që prej atëherë ai e ka shikuar një Danimarkë të bashkuar pas incidentit të tij në fushë dhe thotë se ndihet krenar me shokët e skuadrës. Sipas La Gazzetta dello Sport, mesfushori i Interit iu dërgoi bashkëlojtarëve danezë mesazh në Wahtsapp pas fitores së tyre 2:1 kundër Republikës së Çekisë në çerekfinale. “Jam krenar me juve”, thuhet të ketë shkruar 29-vjeçari në mesazhin dërguar bashkëlojtarëve, të cilët në gjysmëfinale do të përballen me Anglinë.