Dronët, të krijuar fillimisht për qëllime ushtarake, tani po përdoren gjithashtu edhe në fusha të tjera, të tilla si siguria dhe mbikëqyrja.
Në sektorin e sigurisë, dronët janë përdorur për të bërë operacione të caktuara më të shpejta dhe më efikase, sepse dronët pa pilot mund të monitorojnë zona të gjera, aty ku qasja është e vështirë.
Përveç kësaj, disa nga këto pajisje mund të komunikojnë në kohë reale me një qendër mbikëqyrjeje.
”Dronët kanë përparësi të ndryshme për industrinë dhe sigurisë, sepse përdorimi i tyre ul rreziqet për punonjësit, të cilët ekspozohen më rrallë në çdo veprimtari. Dronët janë elektrikë, jo ndotës dhe ato mund të pajisen me shumë teknologji si dhe japin një rezultat përfundimtar me cilësi më të mirë”, thotë në një intervistë për ANSA-n, Alexandre Nuevo, shef i ”Drone Visual”.
“Teknologjia në këtë mënyrë eliminon logjistikën aktuale të operacioneve dhe lehtëson proceset e analizës së rrezikut, duke ulur kështu kostot e punës”, tha ai.
Nuevo gjithashtu shton se ardhja e teknologjive të reja do të sjellë “një rritje të efikasitetit dhe një ulje të kostove” për pajisjet.
Ai shtoi se industria e dronëve “po rritet nga viti në vit”.
“Dronët janë këtu për të qëndruar me ne”, thotë Reinaldo Colares, partner dhe drejtor i ”Horus Geo”.
“Mendoj se shumë shpejt do të përdoren për gjithçka. Ata janë efikasë, sepse nuk e ekspozojnë oficerin e policisë ose rojën e sigurisë gjatë operacioneve”, shton ai.
Dronët përdoren në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë kërkim dhe shpëtimin, hartografinë, inspektimet në vendin e punës dhe mbikëqyrjen e zonave të trashëgimisë publike.
Përkundër pritjeve pozitive për sektorin, dronët ende kërkojnë një nivel të caktuar vëmendjeje për të shmangur aksidentet e mundshme, për shembull për shkak të mungesës së trajnimit teknik nga ana e operatorit që i përdor.