Tashmë është zyrtare: Armando Broja ka nënshkruar një kontratë të re pesëvjeçare me Chelsea-n, që e ktheu në Londër pas një vitit huazim në Eredivisie.
19-vjeçari i përfaqësueses shqiptare la përshtypje shumë të mira gjatë përvojës së tij me Vitessen në elitën e futbollit holandez, duke spikatur me 10 gola në 30 ndeshje të kampionatit. Për këtë arsye, stafi teknik i Chelsea-t ka vendosur t’i japë një shans në ekipin e parë. Gjithsesi, në varësi të zhvillimeve në merkato, Broja mund të huazohet sërish.
“Jam me të vërtetë shumë i lumtur që po nënshkruaj kontratën e re me Chelsea-n,” – tha Broja për faqen zyrtare të klubit. – “Meqenëse kam qenë pjesë e akademisë, për mua ishte moment i veçantë debutimi me ekipin e parë vitin e kaluar, para se të huazohesha te Vitesse. Dua të vazhdoj mbi këto baza dhe me të vërtetë pres që të përparoj dhe të lë gjurmë te Chelsea vitet që do të vijnë”.
19-vjeçari u afrua në skuadrën e parë nga ish-trajneri, Frank Lampard, në mars të vitit të kaluar, kundër Evertonit, në Premier League. Ai u aktivizua në fund të takimit të fituar 4-0 në vend të Giroud. Pikërisht pas kësaj ndeshjeje, kampionati u ndërpre për shkak të pandemisë së Koronavirusit.
Gjatë sezonit 2020-21 Broja u huazua te Vitesse për të patur më shumë minuta në këmbë. Sulmuesi i Shqipërisë spikati në ekipin holandez, duke arritur numër dyshifror golash.