Nga Neda Balluku/ Dje nëpër portale lexuam lajmin e humbjes së jetës së një mjeke të re, e cila sipas dyshimeve paraprake u vetëhodh nga maja më e lartë e një pallati, për t’i dhënë fund jetës. U ngrit në majën më të lartë të qiellit që i rëndonte mbi kokë, për të shuar yllin që ishte, por që nuk shihte dot.

Mbase edhe nuk ka qenë kështu. Mbase gjithçka qe pasojë e një aksidenti fatal, momenti pakujdesie dhe pasoja siç dihet është e pakthyeshme. Në rast se po, në rast se dje një mjeke vret veten sepse “vuante nga depresioni”, atëherë t’i themi ca dreq gjërash që janë të vërteta e pakta por edhe të hidhura gjithë ditën e gjithë natën.

Kush nga ne ka ndjerë shpesh gjendjen e ankthit në kraharor që nuk e ka lejuar të mbushet me frymë, të lëvizë nga vendi apo të mos shkojë në panik?!

Kush nga ne ka ndjerë shpesh mendjen të mos i përgjigjet, të mos i bindet, ta mbysë frika e pasiguria? Kush nga ne ka ndjerë që nuk ka shpresë, nuk ka zgjidhje, nuk ka rrugëdalje? Kush nga ne ka ndjerë se në këtë botë dhe në këtë jetë, fare pak gjëra vlejnë apo edhe absolutisht asgjë?

Kush nga ne ka ndjerë turp që ndihej kështu dhe frikë për t’ja treguar dikujt? Kush nga ne ka kalur netë të tëra pagjumësie duke u munduar të gjejë online se si dreqin zgjidhet kjo çështje me këshilla psikologësh e psikoterapistësh? Kush nga ne ka ndjerë të afrohet hija e turpit që do vinte nga stigma kolektive nëse psikoterapistes dhe psikologut i ulemi në divan dhe i kërkojmë ndihmë?

Kush nga ne ka dikë në familje, shoqëri, jetë, mbase burrin, gruan, kunatin, babain, nusen e xhaxhait, kolegen e punës, komshien që mendon se nëse nuk ndihesh mirë je e dobët, e dobët psikologjikisht, e dobët karakterialisht, e padenjë si nënë, i padenjë si bashkëshort, i rrezikshëm si nëpunës dhe nëse kërkon ndihmë të specializuar atëherë je thjesht i SËMURË MENDOR.

Kush nga ne nuk tregon se ka kancer, ka depresion, sëmundje lëkure, nuk ka lekë, nuk ka punë, nuk ka dashuri, nuk mbetet dot shtatzënë, është steril, e dhunon prindi, e dhunon partneri, e ngacmon shefi, nuk di te gatuajë, nuk zgjat në shtrat, nuk do veten, nuk ka ëndrra, ka mbetur në provim, punon në ndërtim, nuk ka makinë, nuk ka mbiemër, nuk lë dot alkoolin, nuk ka gjumë, nuk ka besim, nuk ka siguri, i merret fryma, dëgjon zëra, nuk dëgjon dot veten?

Askush kurrë nuk i tregon këto! Frika e gjykimit dhe stigmatizimit shpesh është po aq i fortë sa vetë problemi fillestar. Ndaj mbetesh vetëm me veten për ta vrarë kur bëhet e padurueshme. Por këto ekzistojnë dhe janë mes nesh. Tek njeriu që keni përballë, tek fëmija brenda vetes, tek i rrituri që dëshiron të bëhesh.

Mos e vrit veten! Kërko ndihmë! Shëndeti mendor është i vërtet. Nuk është turp të jesh njeri. Hape derën që të ndan nga ndihma dhe merre. Ndihmo veten! Kujdesu për veten, njihe, pranoje, përqafoje, kuptoje, duaje me gjithë zemër si gjënë më të shtrenjtë që ke dhe kërko ndihmë! Ndihmo veten! Ndihmo dhe tjetrin me shembullin që jep! Ndihmo shoqërinë të hapet dhe të zhvillohet nga brenda jashtë! Nuk je gabim! Nuk je i dobët! Je njeri. Mos e vrit veten! Të gjithë ne jemi ndjerë të paktën një herë në jetë si ti. Nuk ke askënd nëse nuk ke veten… MOS E VRIT!