1684 qytetarë kanë përfituar ndihmë juridike falas në periudhën janar-korrik 2021 nga Qendra e Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore.
Shifrat i publikoi sot ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e cila siguroi qytetarët që kanë nevojë për ndihmë juridike parësore dhe këshillim ligjor falas, se tashmë kjo është lehtësisht e mundshme.
“Ju mund t’i drejtoheni zyrave të ndihmës juridike parësore falas. Në bashkëpunim me @osfalbania dhe UNDP Albania, këto zyra do të mund t’i gjeni në qytetin e Tiranës, Fierit, Durrësit, Lezhës, Pogradecit, Lushnjës, Shkodrës, Gjirokastrës, Vlorës dhe Dibrës”, tha Gjonaj.
Po ashtu ajo i bëri thirrje qytetarëve të interesuar të aksesojnë në çdo kohë portalin juristionline.al, numrin e gjelbër 0800 10 10, ndërsa informoi se së fundmi, ndihmën juridike parësore falas mund ta gjejnë dhe në portalin e-Albania.