Në kuadër të mbështetjes ndaj Policisë së Shtetit për integrimin e një perspektive gjinore në sektorin e sigurisë, Prezenca e OSBE në Shqipëri zhvilloi një aktivitet virtual që mblodhi së bashku përfaqësues nga ODIHR, Rrjeti Europian i Grave në Polici dhe Policia e Shtetit për të diskutuar mbi avancimin e barazisë gjinore brenda dhe përmes shërbimeve policore. Shefja e Departamentit të Demokratizimit, Sihana Nebiu, zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko dhe zëvendësdrejtuesja e Parë e ODIHR, Kateryna Ryabiko, u bashkuan me rreth 25 oficere policie nga Shqipëria në një diskutim me kolegë nga Gjermania, Irlanda dhe Kosova mbi modele të ndryshme të shoqatave të grave në polici.
Zëvendësministrja Kuko dhe Koordinatorja për Gjininë dhe Diversitetin, Alma Katragjini shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen e Prezencës dhe e konsideruan këtë si një hap të madh përpara në ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e grave në policinë shqiptare. Ndër temat e diskutuara ishin tendencat pozitive në shërbimet policore, sfidat si dhe praktikat më të mira të shoqatave të grave në polici.
Kontribuesit në aktivitet bënë thirrje për një angazhim më të madh të grave dhe burrave për të vendosur barazinë gjinore në themel të punës së forcave policore dhe diskutuan rolin vendimtar të grave me uniformë në të gjithë rajonin e OSBE-së në dimensionin njerëzor të sigurisë.