Parlamenti Evropian miratoi sot një ligj që lehtëson kushtet për lëshimin e Kartës Blu evropiane, një leje pune për emigrantët e kualifikuar, të cilët aktualisht janë më të tërhequr nga SHBA-ja, Kanadaja ose Australia.
Eurodeputetët votuan me 556 vota (105 kundër dhe 31 abstenime) për një kompromis të arritur, pas disa vitesh negociatash midis institucioneve, për reformën e direktivës së miratuar në 2009-n për krijimin e këtij sistemi të frymëzuar nga “Kartoni Jeshil” amerikan.
Aplikantëve do t’u kërkohet të paraqesin një kontratë pune ose një ofertë pune të qëndrueshme për të paktën gjashtë muaj, kundrejt minimumit prej 12 muajsh të kërkuar aktualisht.
Gjithashtu është reduktuar edhe pragu i pagës së kërkuar për aplikantët: ai do të jetë më e pakta 100 për qind e pagës mesatare vjetore bruto në shtetin anëtar të punësimit, kundrejt të paktën 150 për qind deri më tani.
Për më tepër, mbajtësit e një karte blu do të jenë në gjendje të lëvizin më lehtë nga një shtet anëtar në tjetrin, pas një periudhe prej 12 muajsh në shtetin e parë anëtar.
Situata e familjarëve të tyre shoqërues do të përmirësohet përmes procedurave të përshpejtuara të bashkimit familjar dhe qasjes në tregun e punës.