Bulevardi kryesor i qytetit të Kamzës ka marrë sot emrin “Nënë Tereza”, në nder të humanistes së madhe shqiptare, ditën e shenjtërimit të saj.
Gjatë një ceremonie zyrtare të zhvilluar ditën e sotme në bulevardin e ri, ku të pranishëm ishin dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, kryetari i Bashkisë, Rakip Suli si dhe kryetari i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi është vendosur edhe shtatorja e Nënë Terezës, e realizuar me mjeshtëri nga skulptori Ardian Pepa.
Bulevardi “blu”, siç ishte emërtuar nga administrata e dikurshme, me vendim të Këshillit Bashkiak ka ndërruar tanimë emrin, duke u quajtur Bulevardi “Nënë Tereza”, një vendim i mirëpritur edhe nga qytetarë të shumtë të Kamzës të cilët ishin pjesëmarrës në ceremoninë inaguruese.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, ministrja Spiropali shkruan se ky bulevard do të mbajë emrin e shenjtores në nder të misionit të saj të papërsëritshëm.
Statusi i plotë: “Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës është kujtesë e fortë për mbarë botën se ç’mësim njerëzor i dha kombeve shqiptarja humaniste.
Në Kamëz, bashkë me Kryetarin e Bashkisë, Rakip Suli dhe Kryetarin e Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi, inaguruam shtatoren e shenjtores sonë në bulevardin e qytetit.
Me vendim të Këshillit Bashkiak. bulevardi kryesor i qytetit do të mbajë emrin Bulevardi “Nënë Tereza”, në nder të emrit dhe misionit të Saj të papërsëritshëm.”