Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Klotilda Bushka deklaroi sot se “ne si mazhorancë duhet të dialogojmë me opozitën jo vetëm në raste të përcaktuara, por për çdo çështje”. E ftuar në një emision televiziv, Bushka tha se “duhet t’i krijojmë hapësirë opozitës që të ushtrojë funksionet e saj me efikasitet”. Në lidhje me situatën politike në vend dhe si ndikojnë zhvillet e PD-së në jetën politike, Bushka tha se “mendoj se janë çështje që i takojnë PD-së”.
“Sa më takon mua në kuadër të situatës politike në vend, këto zhvillimeve sa ndikojnë, do të them se pavarësisht zhvillimeve në atë parti apo në një parti tjetër puna në Kuvend e opozitës duhet të jetë e ndarë, sepse ata kanë një rol të rëndësishëm në komisionet parlamentare në Kuvend në grupe pune për çështje të cilat që kur hyjmë në këto komisione dhe në seancë duhet të na fokusojnë te interesi qytetar, tek ata votues që na kanë dhënë votën, s’ka rëndësi të majtë apo të djathtë, se janë qytetarët që presin nga ne”, tha ajo. Bushka theksoi se “ne si mazhorancë kemi detyrë t’ i krijojmë opozitës të gjitha hapësirat e nevojshme që mekanizmat parlamentarë në dispozicion të opozitës ata t’i përdorin në mënyrë eficiente”.
“Sa më takon mua në Komisionin e Ligjeve, do përpiqem bashkë me kolegët e mi të mazhorancës që të krijohen të njëjta hapësira për të ushtruar të drejtat nëpërmjet mekanizmave parlamentarë. E njëjta qasje edhe për komisionet e tjera, ashtu edhe për seancën plenare. Nuk do të doja se vetëm për hir të votave në raste të përcaktuara ne të dialogojmë me opozitën. Ne duhet të dialogojmë me opozitën për çdo çështje dhe duhet t’i krijojmë hapësirë opozitës që të ushtrojë këtë të drejtë, sepse debati progres sjell. Shpresoj shumë se kërkesa dhe oferta jonë e sinqertë për opozitën për të bashkëpunuar me ne të përdoret realisht”, theksoi ajo. Duke folur për zgjatjen e mandatit të Vetingut, Bushka tha se PS do të kërkojë zgjatjen e mandatit të anëtarëve të KPK dhe të Komisionerëve Publikë që merren me këtë proces. Ajo theksoi se do kërkohet edhe mbështetja e opozitës për ndryshimet kushtetuese. “Vetingu është një nga shtyllat kryesore të reformës në drejtësi është ajo që lidhet me vetingun në drejtësi. Reforma në Drejtësi ka qenë prioritet i PS-së në mandatin e parë, ku u ndërmor e gjithë reforma. Në mandatin e dytë u krijuan organet e reja të drejtësisë dhe nisi të funksionojnë. Ky mandat do ta ketë reformën në drejtësi si prioritet sa i takon dhe ndarjes dhe balancimit të pushteteve”, tha Bushka.
“Procesi i Vetigut është një nga proceset më të rëndësishme, deri më tani ka funksionuar normalisht. Por kemi disa të dhëna që nga plani dhe detyrat e organit të Vetingut, kemi mësuar se janë arritur vetëm gjysma e këtyre emrave. Afati i mandatit të anëtarëve të KPK mbaron në qershor 2022. Por duke parë numrin e atyre që kanë ngelur pa u vetuar, ne besojmë se do të jetë e mirë për të shtyrë afatin që do të kërkojë ndryshime kushtetuese. Jo vetëm për hir të votave që kërkohet nga opozita, por dhe për faktin se reforma ka pasur konsensus në fillim kur u miratua. Ndaj duhet bërë njësojë. Të gjitha këto analiza janë duke u parë në proces. Reforma në Drejtësi u miratua me konsensus, ku BE dhe SHBA ishin me ne. Ata kanë qenë në çdo hap, dhe ne zbatimin e reformës. Ne do të konsultohemi edhe me partnerët ndërkombëtarë. Procesi ka rregullat e veta, subjektet kanë të drejtën e ankimit. Merren vendime duke respektuar rregullat. Procesi zgjedhor që patën këtë vit ka qenë ndër më të mirat. Fjalët i merr era, ngelen proceset ligjore dhe në fund flitet me fakte”, tha Bushka.
Duke folur për procesin e zgjedhjeve të 25 prillit, Bushka tha se ky proces ka qenë një nga më të mirët që kemi patur në Shqipëri. “Në demokraci ka mekanizma ligjore që mund të ndiqen nga kushdo që pretendon se të drejtat janë shkelur. Ne merremi me vendimmarrjen, me ata që certifikojnë rezultate të caktuara, siç është rasti i KQZ”, tha ajo.