Librazhdi është prodhuesi më i madh, por edhe më cilësor i mjaltit në vend. Janë rreth 6 mijë koshere në të gjithë territorin ku qindra fermerë vazhdojnë traditën e tyre në prodhimin e mjaltit. Bashkia e Librazhdit organizoi sot “Festën e Mjaltit” dhe festivalin e Valles Dyshe në Breza. Në këtë festë morën pjesë rreth 160 fermerë duke sjellë jo vetëm mjaltë cilësor, por edhe produkte të tjera bio të zonës.
Në aktivitetin e zhvilluar ishin të pranishëm deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe kryetari i bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra. Në fjalën e tij Balla tha se përveç panairit të mjaltit, sot është dhe festa e valles dyshe që është po ashtu mjalti artistik i zonës.
“Përgëzoj bashkinë e Librazhdit për vijimin e kësaj experience të shkëlqyer që nxjerr në pah një prej produkteve më tipike të zonës së Librazhdit. Përveç panairit të mjaltit, sot është dhe festa e valles dyshë që është po ashtu mjalti artistik i zonës tonë. Ne kemi krijuar një traditë shumë vjeçare tashmë ku nga të gjitha trevat shqiptare vijnë në Librazhd për të ndjekur festivalin e valles dyshe. Obligimi im si djalë dhe deputet i kësaj zone është që ta forcojmë këtë traditë dhe ndoshta që prej vitit të ardhshëm të mos jetë një ditë panairi, por të jetë një fundjavë e plotë”, theksoi Balla.
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra tha se ne “mendojmë se mjalti është një nga produktet më mira që bashkia Librazhd prodhon për shkak të terrenit”.
“Janë disa varietete që prodhohen në këtë zonë, dhe kjo ka ndikuar edhe për të promovuar edhe produkte të tjera që prodhohen në Librazhd, siç janë patatet e Stërblevës, produktet e bulmetit, që për shkak të terrenit që kemi janë produkte që kërkohen shumë në treg, por ishte e nevojshme që bashkia të bënte promovimin e tyre”, tha ai.
Po ashtu, Gurra tha se “jemi në kryerje e sipër të një premtimi që kemi bërë që në 2013 për ndërtimin e një pike grumbullimi që do ta realizojmë vitin e ardhshëm në mënyrë që të gjitha produktet që prodhohen në Librazhd të magazinohen dhe të shiten në treg, jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë”.