Pas përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, ish-anëtarja e Këshillit Kombëtar, Edith Harxhi kërkon që Lulzim Basha të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit.

Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Harxhi pohon se vendime të tilla, të cilat i quan antistatutore, janë marrë që prej vitit 2017.

“Anëtarësia e Partisë Demokratike këto ditë vlon, vendimi është antistatutor. Ky vendim nuk është i pari, por i fundit. Vendime të tilla janë marrë që prej vitit 2017. Ajo çfarë nuk është demokratike është marrja e një vendimi të pabazuar në statut…Ne kemi kërkuar largimin e Bashës për një kohë shumë të gjatë. Nuk është hera e parë që bëjmë diçka të tillë. Flasim për drejtësi. Në PD ka humbur vota e lirë, mendimi i lirë, forumet janë të pazgjedhura. Në listën e fundit të Këshillit Kombëtar janë njerëz të emëruar, nuk ka asnjë lloj transparence. Të gjitha këto shkelje sjellin atë që ka vetëm një zgjidhje: e para, do të ishe dorëheqja ose largimi i menjëhershëm i Lulzim Bashës.”

Sipas Harxhit, PD ka nevojë të ringrihet dhe të riformatohet, pasi ndodhet në momente të vështira.

“Duhet të kemi parasysh që Berisha është thjesht anëtar i PD, për të përligjur gjithçka që është marrë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i duhet të ndërhyjë të KQZ apo organet e tjera për të nxjerrë në dritë faktet; deri më tani nuk kemi parë asgjë të tillë. Partia është e përçarë, ata që thonë të kundërtën po mundohen të hedhin hi. PD duhet të ringrihet, të riformatohet mbi bazat e idealeve të themelimit të saj, por duke moscenuar në asnjë moment aleancën me SHBA-të dhe BE-në, por për të arritur te kjo, ne na duhet një projekt i ri.”