Ronald Koeman ka theksuar se duhet të jetë ai që vendos se kush do të marrë një vend në formacionin startues të Barcelonës dhe jo presidenti Joan Laporta. Klubi katalanas është i përgatitur t’i ofrojë trajnerit holandez një kontratë të re, para se aktualja të skadojë në fund të sezonit, por është raportuar se presidenti dëshiron garanci që Riqui Puig do t’i jepet një rol në ekipin e parë.
Laporta sqaroi këtë javë se Koeman “ka të gjithë fuqinë në çështjet sportive, gëzon besimin dhe respektin e bordit”, deklaratë të cilën 58-vjeçari e mori si një shenjë të mirë. “Ishte mirë të thuhej kjo publikisht. Para kësaj, dolën disa gjëra që nuk tregonin mbështetje për trajnerin. Kjo më frustroi, – tha Koeman për “Algemeen Dagblad”. – Dy javë e gjysmë më parë kishim diskutim për një kontratë të re.
Nuk kishte rrjedhje në media të atij diskutimi, derisa presidenti foli me gazetarët për situatën e klubit javën e kaluar, për financat dhe të tjera. Në fund, ai filloi të fliste për diskutimin e kontratës. Një ditë më vonë, gazetat raportuan: Koeman mund të nënshkruajë një kontratë të re, nëse plotëson tri kërkesa.
Unë u përgjigja dhe thashë: Kjo nuk mund të ndodhë. Si trajner duhet të jem në gjendje të kontrolloj se si luajmë dhe cilin zgjedh për formacionin. Pastaj, presidenti reagoi të hënën me atë intervistë televizive. Kjo ishte një gjë e mirë”.
E ardhmja e trajnerit holandez në “Camp Nou” varet nga përmbushja e objektivave të skuadrës së tij në sezonin aktual. Koeman thotë se është i etur të angazhohet me një marrëveshje të re me klubin, pasi shpreson të qëndrojë në krye të ekipit katalanas për shumë vite. Blaugrana-t aktualisht janë të pamposhtur në La Liga, pasi kanë marrë 7 pikë nga 3 ndeshjet e para të sezonit.