Pak para fillimit të ndeshjes Poloni-Angli, një kualifikuese e vlefshme për Kupën e Botës 2022, tifozët polakë vërshëllyen futbollistët anglezë që ishin në gjunjë. Veprim ky në mbështetje të futbollistëve “të zinj”, që bien pre e racizmit për shkak të ngjyrës së lëkurës.

Kapiteni i Polonisë, Robert Lewandowski, në përgjigje të autorëve të koreve dhe fyerjeve, u bë protagonist i një gjesti sa të thjeshtë, aq edhe final: tregoi fjalët “respekt”, të shtypura te mënga e fanellës. Fotografia që e portretizon atë duke bërë këtë gjest është bërë “virale” dhe po shijon pëlqimin unanim në rrjetet sociale.