Nga Mero Baze/ Tani është vonë të zbojë Sali Berishën nga Grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Është vonë t’i thotë tani se kjo është parti e Lulzim Bashës dhe jo e tij. Është vonë po ashtu të vazhdojë të gënjejë dhe SHBA, edhe Berishën duke i thënë secilit atë që dëshiron.
Më 10 Shtator, Berisha do të hyjë në parlament, do të ulet në krye të rreshtit të PD dhe do të dominojë imazhin e PD në parlament me atë stil që e njohim të gjithë. Një nga arsyet pse Basha dogji mandatet ishte dhe kjo.
Është vonë që Lulzim Basha t’i tregojë atij se është zgjedhur kryetar i PD për herë të tretë, se në fakt nuk është e vërtetë. Të tri herët është emëruar prej tij.
Por Lulzim Basha ka një rrugë që të shpëtojë veten dhe PD, dhe të rihyjë në politikë. Më 10 Shtator në vend të Sali Berishës ai të deklarojë dorëheqjen e tij si kryetar i PD, për të mos futur PD në konflikt me SHBA dhe t’i bëjë thirrje PD, të zgjedhin një kryetar të ri, i cili duhet ta ketë opsion qëndrimin ndaj Berishës. Është ajo që i kërkuam Lulzim Bashës dhe rivalëve të tij, ta bënin gjatë zgjedhjeve të fundit.
Personalisht kam shkruar se rivali për kryetar në PD, ende nuk ka kandiduar, pasi ende nuk kishte dal një kryetar që ta kishte opsion të qartë qëndrimin ndaj Sali Berishës.
Fshehja si struci e Lulzim Bashës dhe iluzioni i kritikëve të tij se sulmi ndaj Berishës u hiqte votat, e bëri atë garë, një emërim të ri të Sali Berishës. Më 10 Shtator Lulzim Basha ka shansin të rifutet në politikë me këmbë të veta. Dorëheqja nga posti i kryetarit të PD dhe rihapja e garës për ta ndarë PD, pro apo kundër Berishës, është e vetmja zgjidhje politike, që e shpëton nga sikleti i të komunikuarit me Berishën dhe SHBA.
Ai po të dojë, le të kandidojë prapë si mbështetës i Berishës, apo si kundërshtar i tij. Mjafton të jetë i qartë. Ai dhe të tjerët në garë do të përballen një ditë me këtë problem dhe ai që do të guxojë të përballet me qartësi, do të mbetet në politikë.
Sali Berisha mund të diktojë kryetarin e ri, atë që do të jetë me Sali Berishën, por ai e ka të ardhmen aq sa e ka Sali Berisha. Pas kësaj, edhe SHBA e di më mirë se çfarë duhet të bëjë me partinë e Berishës dhe çfarë duhet të bëjë me kundërshtarët e tij. E vetmja gjë që nuk funksionon, është kjo sjellja sikur nuk ka ndodhur gjë e Lulzim Bashës, e cila merr më qafë dhe PD dhe Bashën, por natyrisht dhe Berishën. Epitafit të tij si minues i demokracisë, shantazhues i sistemit të drejtësisë dhe vjedhës familjarisht, i pareve me ko rr u si on prej pushtetit, mund t’i shtohet dhe ndonjë fjali tjetër, që mund ta avancojë në lista dhe më të rënda nga ato që publikon Departamenti i Thesarit. Dhe atëherë për Lulzim Bashën do të jetë edhe më vonë, pasi do t’i duhet t’ia paguajë në “cash” zyrën, në qendrën e biznesit, pasi quhet financim i një aktiviteti k r im in a l.