Lulzim Basha ka tentuar të qetësojë krerët e degëve në rrethe, një ditë pasi Sali Berisha i shpalli luftë të hapur, duke deklaruar se për rrëzimin e tij nga karrigia e kreut të Partisë Demokratike do të nisë një tur takimesh me bazën.
Asryet e vendimit personal që mori dy ditë më parë, kryedemokrati i ka ndarë për afro 90 minuta në një takim që zhvilloi në selinë blu me kolegjin e kryetarëve. Burime brenda mbledhjes thanë se Basha u shpjegoi që vendimi i marrë është në të mirë të Partisë Demokratike.
“Nëse do të merrej një vendim emocional në raport me Dr, Berishën, ky do të ishte izolimi i PD-së. Pas negociatave këto 2 muaj e gjysëm, Dr. Berisha nuk pranoi të bëhej pjesë e zgjidhjes. Izolimi i PD-së do të ishte i dëmshëm për demokratët dhe për vendin, ndërsa kundërshtari do të fërkonte duart. Detyra ime ishte të marr barrën e përgjegjësisë si kryetar. Mora atë vendim të vështirë racional, sepse rrugë tjetër në interes të Partisë Demokratike nuk kishte. Alternativa tjetër ishte izolimi. Humbje, humbje, humbje”, tha Basha.
Por përjashtimi nga grupi parlamentar i liderit historik të demokratëve duket se ka trazuar jo pak edhe bazën, ç’ka u reflektua në komentet e krerëve të parisë në rrethe pas mbledhjes, të cilët dolën me qendrime të ndryshme.
“Berisha duhet të jetë në parlament”, tha kreu i PD në Gjirokastër, Dasho Aliko.
“Vendimi u mor në limite kohore, mendoj se është një nga vendimet që merr parasysh eleminimin e kostove afatgjata për PD, që do të thonë kosto të gjata për Shqipërinë. Janë kthyer në stres për Shqipërinë”, tha kreu i PD në Durrës, Ferdinand Xhaferraj.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura mësohet se Lulzim Basha ka përsëritur qëndrimin e tij se armiku i vetëm i demokratëve është Kryeministri Rama. Takimi me kryetarët e degëve vjen menjëherë pas vendimit për liderin historik të demokratëve dhe pak kohë përpara se kryetarët të futen në një proces zgjedhor.