Pioli flet për gjithçka. Milan, Zlatan, Champions, Serie A, Kjaer. Si mysafir në “Sky Sport”, trajneri i kuqezinjve u rrëfye në 360 gradë. “Milani i sotëm, ai që jam duke stërvitur tani, është më i forti që kam drejtuar ndonjëherë. Lojtarët janë rritur dhe janë të vetëdijshëm për këtë. Nga pikëpamja individuale janë më të fortë”.
ZLATAN – Një koment mbi garën për titull: “Në Itali janë të gjithë të fortë. Interi, Juventusi, Roma, Napoli, Atalanta dhe Lazio, përfshirë edhe ne. Kompeticionet e ndryshme do të na heqin diçka për sa i përket energjisë, por duhet të mendojmë se mund të fitojmë çdo ndeshje. Pastaj le të shohim se ku mund të arrijmë”.
Pioli, gjithashtu foli për marrëdhënien me Ibrahimovic, i cili arriti në janar 2020 dhe ishte menjëherë vendimtar: “Është e lehtë të merresh vesh me të, jemi dy njerëz të drejtpërdrejtë. Ne i themi njëri-tjetrit atë që mendojmë, qëllimi ynë i parë është e mira e përbashkët e ekipit. Kur filloni nga një bazë si kjo, gjërat shkojnë mirë.
Nuk kam frikë nga krahasimet, diskutimet apo ndonjë gjë tjetër. Për më tepër, edhe nëse nuk do ta pranojë kurrë, Ibra është i pari që e vendos veten para të gjithëve dhe merr përgjegjësitë e tij. Plus kësaj, është plot eksperiencë, inteligjent, na ndihmoi të rritemi. Ai do të japë akoma shumë për Milanin”.
Disa fjalë edhe për tandemin e mundshëm me Giroud: “Ata janë dy lojtarë të mëdhenj, me karakteristika të ndryshme. Olivier është një prani fikse në zonë, na jep thellësi, ndërsa Ibra është një lojtar sulmues. Atij i pëlqen të prekë sa më shumë topa të jetë e mundur. Kur të dy janë në 100%, mund të luajnë së bashku”.
ERIKSEN – Pioli gjithashtu foli për gjestin e Kjaer në Kampionatin Evropian, ku i shpëtoi jetën Christian Eriksen duke ndërhyrë menjëherë. Gjakftohtë dhe plot qartësi: “Ajo që bëri Simon nuk është diçka që ndodh çdo ditë. Unë kurrë nuk kam pasur dyshime për cilësitë e tij njerëzore, por duhet të them se qartësia e tij më goditi. Mendova më të keqen, pastaj erdhi lehtësimi. Ne folëm për atë rast në të kaluarën, tani jo, mendoj se është më mirë që Kjaer ta kalojë atë dramë së bashku me shokun e tij më të mirë”.
“ANFIELD” – Data është e fiksuar, më më 15 shtator. Rikthimi i madh në Ligën e Kampionëve, pas 7 vitesh. Për herë të parë, kuqezinjtë do të luajnë në “Anfield”: “Nuk e dija, emocioni do të jetë i fortë. Ne luajtëm në Manchester vitin e kaluar dhe ishte mirë, por pa tifozë nuk na bëri fort përshtypje. Kundër të kuqve do të jetë një sfidë stimuluese. Ne kthehemi në Ligën e Kampionëve me entuziazëm, duhet të mendojmë për ndeshjet e vështira si mundësi të mëdha, sepse nëse jemi të bindur për këtë, do të kapërcejmë çdo pengesë”.