Në lojë tani janë të huajt. Para disa ditësh në stadiumin “Selman Stërmasi” kanë qenë të pranishëm disa drejtues të bashkisë dhe projektues të huaj për të parë nga afër impiantin e bardhebluve. Të huajt që me shumë mundësi ishin belgë kanë vlerësuar impiantin e vjetër, i cili është në përdorim nga klubi Tirana dhe pronësi e bashkisë.
Së bashku me grupin kanë qenë edhe drejtues të lartë të Tiranës. Zëra në bashki bëjnë me dije se pas projektit të KF Tiranës dhe vetë institucioni që është pronari i impiantit ka interes që të zhvillojë stadiumin numër dy të Tiranës dhe prandaj janë afruar arkitektët.
Po kështu, projektuesit kanë parë edhe ambientet përreth të stadiumit, si parkingun, fushat e basketbollit dhe fushën e futbollit para “Selman Stërmasit”. Belgët kanë parë me detaje gjendjen aktuale të stadiumit. Qëllimi ka qenë për të pasur një ide rreth një projekti të ri për “Selman Stërmasin”. Prej kohësh flitet për një rindërtim të stadiumit të dytë të kryeqytetit, ndërsa kryebashkiaku Veliaj e ka dhënë “ok”-in e tij për ndërtimin e një impianti modern.