Ish-kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadili deklaron se PD duhet të marrë një vendim në raport me ish-kryeministrin Sali Berisha, të shpallur “non grata” nga SHBA.

Me anë të një shënimi në “Facebook”, Kadilli shkruan se “E ardhmja e PD-së nuk duhet të jetë “non grata”.

Postimi i plotë: E ardhmja e PD-së nuk duhet të jetë “non grata”. PD duhet të ketë një qëndrim të qartë në raport me ish kreun e saj Sali Berisha. Nuk mund të presim vendime surprizë apo të minutës së fundit për një çështje që lidhet me fatin dhe të ardhmen e PD-së. As nuk mund të zvarritemi pa bërë asgjë.

Berisha e ka bërë të qartë që fatin e PD-së do ta mbaj lidhur me fatin e vet “non grata”. Basha nuk flet duke e lënë partinë në kryqëzime të rrezikshme politike.

Eshtë momenti të flasë partia çfarë qëndrimi ka për ish kryetarin “non grata”. Kjo është detyrë e Kryesis dhe e Grupit Parlamentar. Për secilin koleg, është nder të ulesh në karriken e kryesisë dhe të deputetit, por së pari është përgjegjësi.

Keni në dorë të merrni një vendim historik. Luhet fati dhe e ardhmja e Partisë Demokratike që nuk duhet të jetë “non grata”.