Skuadra më e titulluar në Shqipëri, Tirana, që është 25 herë kampione, e ka nisur sezonin e ri me fitore. Bardheblutë e drejtuar nga Orges Shehi kanë marrë 3 pikët me rezultatin 4-2 kundër Skënderbeut në ‘Selman Stërmasi’, falë golave të realizuar nga Behiratche, Limaj dhe Ngoo ‘dopietë’.

Ndërkohë 3 pikët në javën e parë të kampionatit kanë marrë edhe nënkampionët e sezonit të kaluar, Vllaznia. Skuadra shkodrane ka mposhtur 3-5 Laçin falë golave të Latifit, Da Silvas, Aralicës, Gurishtës dhe Kainas.

Ndërkohë të dielën Dinamos e rikthyer në Superligë pas 9 vitesh do të debutojë në transfertë kundër Kastriotit.

Ndeshja tjetër që mbyll javën e parë është Egnatia-Kukësi, ndërkohë që Superliga nisi të premten me Teuta-Partizani që u fitua 1-0 nga durrsakët kampionë në fuqi.