10 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur mbrëmjen e djeshme në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, pas përfshirjes nga flakët të spitalit COVID. Zjarri tashmë është shuar plotësisht, ndërsa flakëve iu deshën vetëm disa minuta për të ‘gllabëruar’ godinën, të ndërtuar vetëm disa muaj më parë.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka caktuar sot në orën 10:00 një mbledhje të jashtëzakonshme.
Ndërkohë, sipas mediave vendase, rezulton se në spitalin modular në Tetovë, në mesin e muajit prill është raportuar se janë konfirmuar gabime gjatë ndërtimit, që kishin të bënin kryesisht me dyshemenë dhe gabime të tjera infrastrukturore. Kompania që kishte marrë përsipër ndërtimin e spitalit duhej të rregullonte këto gabime, por nuk dihet nëse një gjë e tillë është bërë.
Deri tani nuk dihen shkaqet e shpërthimit të zjarrit, ndërsa pesë prokurorë janë angazhuar dhe janë në terren ku po kryejnë ekspertizë për të vërtetuar shkaqet që sollën deri te djegia e spitalit modular COVID në Tetovë.
Zjarri në Qendrën COVID shpërtheu rreth orës 21.00 dhe për një kohë të shkurtër është djegur e tëra, ndërsa sipas autoriteteve ekziston frika që numri i viktimave mund të rritet. Viktimat, mjekë e pacientë, nuk janë identifikuar ende.
Pas ngjarjes së rëndë reagoi edhe politika shqiptare, duke shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave dhe duke u solidarizuar me dhimbjen e tyre.