Mesnatën e 11 dhjetorit të 30 viteve më parë u firmos për krijimin forcës së parë politike pluraliste në vend, PD. Sot pas 30 vitesh nga themelimi, Partia Demokratike gjendet në udhëkryqin më të madh politik. Ajo do të festojë ditën e saj me dhe pa kryetar, vjen me e fragmentarizuar së kurrë dhe e ndarë në dy rryma të qarta.
Sali Berisha njoftoi të premten se do të mbledhë Kuvendin Kombëtar më 11 dhjetor në ditën simbol të partisë. Qëllimi kryesor; shkarkimi i Lulzim Bashës nga detyra e kryetarit. Paralelisht kryetari me vule i kësaj force politike, Lulzim Basha ka një tjetër axhendë për atë ditë.
Basha është shprehur nuk do t’i njohë punimet e këtij Kuvendi që me gjasë mund të mblidhet jo tek Pallati i Kongreseve, por në një ambient më të madh dhe të hapur, siç po përshpëritet nën zë nga firmëtarët e nismës. Sali Berisha ka njoftuar gjithashtu se do të jetë në garë për kryetarin e partisë përmes parimit “një anetar, një votë” që do të thotë se PD-ja pas 30 vitesh, do të gjendet në të njëjtat pozita së paku debati për drejtim, si tre dekada më parë.
11 dhjetori i ish-lëvizjes studentore e gjen PD-në në paradoksin më të madh politik, në dilemën e një force politike me dhe pa kryetar, me dhe pa struktura, me dhe pa qëndrim përbashkues. 30 vjet pas themelimit, PD më shumë se sa një parti e madhe e frymëzuese po vjen si forcë politike mbijetuese nga tre palë humbje zgjedhjesh radhazi, sërish e nënshkruar nga populizmi i turmës me të njëjtin “mit” që me dashje e ngriti ndër vite, Sali Berisha.
Ai do të mbledhë Kuvendin Kombëtar me premtimin e 30 viteve më parë, për riformatimin e vlerave konservatore, për familjen, besimin, vlerat euro-atlantike, për lejimin e fraksioneve, pra për rikthimin e gjithë ç’ka u shkatërrua në PD për ironinë e fatit nga vetë ai…Një 11 dhjetor ‘i dytë’ në kërkim të kryetarit dhe identitetit të humbur, që ka sërish një protagonist… Shumë vonë për PD. (SI)