Në vigjilje të diskutimeve parlamentare mbi buxhetin e ri 2022, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ka zbuluar disa nga risitë e vitit të ardhshëm për të gjithë sektorët që mbulon kjo ministri. Krifca gjatë fjalës së saj në parlament u ndal në rritjen e fondit për mbështetjen direkte. “Kemi vënë në buxhetin e vitit 2022 fondin më të madh në dispozicion për mbështetje të drejtpërdrejtë dhe në investime në asete fizike. Kemi mundësuar akses në fonde Evropiane që më parë flinin në letra dhe kemi mundësuar pothuajse dyfishim të fondit vënë në dispozicion për financim të fermerëve pasi i treguam Evropës që investimet në bujqësi në vendin tonë janë të duhurat, shtojnë vlerë, rrisin standartin për konsumatorin, e afrojnë fermerin shqiptar me atë evropian”.
Më tej ministrja Krifca foli dhe për fuqizimin financiar të prodhimit dhe përpunimit shqiptar si rruga e vetme drejt rritjes së cilësië. “Stabiliteti financiar i fermerëve tanë do të ruhet duke injektuar politika incentivuese në programin zhvillues të bujqësisë si pjesë e buxhetit 2022. Konkretisht, do të mbështesim rritjen e prodhimit dhe sipërfaqes së punuar, do të mbështesim shtimin e sipërfaqes së serrave me standarte, do të mbështesim rritjen e certifikimit, do të mbështesim peshkatarët dhe akuakulturën, fuqizimin e agropërpunimit, marketimit të prodhimeve bujqësore shqiptare, do të mbështesim me naftën pa akcizë, mekanizimin dhe teknologjinë në bujqësi si dhe turizmin rural si një katalizator dhe treg i zgjeruar për prodhimet e fshatit. Do të vijojmë të investojmë në mbrojtje dhe në ujë”. Për sa i përket eksporteve bujqësore dhe atyre të peshkimit si një nga pikat më të forta të zhvillimit të këtij sektorit, Krifca foli dhe për shifrat më të fundit dhe parashikimin për mbylljen e vitit. “ Totali i eksporteve bujqësore në vlerë nga viti 2017 në 2020ën eshte rritur me 30%. Perimet shqiptare, sipas Global G.A.P të eksportuara janë rritur me 19% për 9 mujorin 2021. Po ashtu gjatë këtij 9 mujori 2021, eksportet në bujqësi janë rritur me 16.4% krahasuar me vitin e meparshem dhe që deri në fund të vitit parashikojmë të arrijmë në 450 mln usd eskporte bujqësore”
Vëmëndje të shtuar në vitin e ardhshëm do të marrë dhe siguria ushqimore ku duket se do të ndërhyet në shumë hallka. “Në këtë mandat siguria ushqimore do të marrë një dimension edhe më të rëndësishëm. Për këtë qëllim po punohet për vendosjen e detyrueshme te librit te fermerit duke i dhene atij mbrojtje nga abuzuesit, ngritjen e Urdhërit të Agronomit dhe mekanizmave institucional dhe ligjorë për mbikqyrjen dhe asistimin e fermerit në të gjitha fazat e prodhimit. Për këtë vijon puna per akreditim te thelluar dhe forcimin e rrjetit të gjerë te laboratorëve. Për të arritur këto objektiva ne kemi nisur një process reformimi tërësor me strukturat e ministrisë së bujqësisë në mënyrë që të kemi një qasje të përditësuar te formalizuar mbi gjurmueshmërinë dhe transparencën e origjinës së ushqimeve”.