Anëtarja socialiste e Komisionit Hetimor, Blerina Gjylameti është shprehur se opozita po bëhet pengesë për vijimësinë e punës së këtij komisioni. Duke folur për “Fax News” mbi Komisionin Hetimor të ngritur për zgjedhjet e 25 prillit, Gjylameti theksoi se PS kishte bërë 3 kërkesat: Të votohet rendi i ditës, të zgjidhjet sekretari dhe më pas të miratohet edhe rregullorja e brendshme e këtij Komisioni Hetimor.
Gjylameti theksoi se kryetari Enkelejd Alibeaj ka thyer ligjin dhe kodin etik të sjelljes duke vepruar i ndikuar politikisht e duke vendosur në rrezik veprimtarinë hetimore të këtij komisioni. “Duhet që t’i bëj me dije publikut se çfarë ka ndodhur në Komisionin Hetimor. Unë besoj që nuk ka lidhje me pretendimin e opozitës që ne nuk duam të hetojmë, por ka të bëjë me atë që është kthimi në shinat e ligjshmërisë të komisionit hetimor i cili është ngritur me kërkesë të PD. Por nuk mund të lejojmë deputetë të shkelin ligjin dhe Rregulloren. Madje sot arriti në pikën kulmore edhe kodin etik i sjelljes së deputetit. Ne kemi kërkuar të votojmë rendi i ditës, të zgjidhjet sekretari dhe më pas të miratohet edhe rregullorja e brendshme e këtij Komisioni Hetimor. Alibeaj nuk respektoi asnjë prej këtyre pikave, por vazhdoi më pas mbledhjen edhe pse nuk kishte kurumin e mjaftueshëm i cili e bën të vlefshëm mbledhjen dhe të gjitha vendimet e marra nga Komisioni hetimor. Nuk është hera e parë që kjo ndodh. Ata po pengojnë zhvillimin normal të mbledhjeve të komisionit. Unë sot kam kërkuar rregullisht fjalën për procedurë që rregullorja ma lejon për të propozuar ndryshimet përkatëse dhe nuk më është dhënë fjala. Në shkelje të ligjit dhe të rregullores Alibeaj vazhdon të vijojë vazhdimin e mbledhjeve. Edhe pse ai Komision është ngritur për të hetuar veprimtarinë e zgjedhjeve të 2021, vetëm këtë gjë ai nuk po e bën.
Deputetja Gjylameti akuzon deputetin Alibeaj se edhe pse nuk kishte kuorumin e nevojshëm, në shkelje të hapur me Rregulloren vijoi mbledhjen.
“Ne kërkuam 5 minuta pushim që të gjenim dakordësinë me Alibeajn që të vijonin mbledhjen e komisionit. Jo vetëm që nuk na u dha mundësia për miratimin e 5 minutave pushim, por pastaj në shkelje të ligjit Alibeaj vijoi vazhdimin e mbledhjes. Në momentin kur nuk ekziston kuorumi në mbledhjet e komisionit, ato janë të pavlefshme. Është mbledhja e katërt që ne si komision nuk përmbushim ato që janë detyrimet ligjore që ka të bëjë me zgjedhjen e sekretarit, rregulloren e komisionit dhe më pas të vijonim me pjesën tjetër të marrjes së provave dhe më tej për thirjen e dëshmitarëve. Alibeaj jo vetëm shkel ligjin, por refuzon ta respektojë atë duke vijuar me një lojë që askush nuk e kupton. Ka një lloj hezitimi për nxjerrjen apo zbardhjen e të vërtetave në lidhje me zgjedhjet. Mazhoranca dhe opozita në momentet kur bëhen pjesë e Komisionit Hetimor heqin dorë nga pjesa politike por vendosen në rolin e dikujt që do të hetojë objektin e komisionit. Por kjo nuk ndodh me Alibeajn i cili i heq të drejtën mazhorancës të bëjë propozimet përkatëse. Sa herë ka ndryshime të neneve përkatëse të projektligjit, ato duhet të hidhen në votim dhe në bazë të votimit vendosen nëse do merren ose jo parasysh. Alibeaj refuzon respektimin e ligjit, rregulloren e kuvendit dhe shkon deri te thyerja e kodit të etikës”, nënvizoi Gjylameti.
Deputetja socialiste shprehet se është e paprecedent sjellja e Alibeajt, i cili edhe pse është kryetar komisioni hetimor dhe i përket palës që e ka kërkuar, po pengon qëllimisht dhe rregullisht respektimin e procedurës në fuqi të komisioneve hetimore.