Miku ynë Namiri, shkruaka se Kuvendi Kombëtar nuk mundet ta shkarkojë kryetarin e PD, pa MOCION nga Këshilli Kombëtar (neni 43). Kjo është e vërtetë Namir. Nuk mundet Kuvendi Kombëtar ta shkarkojë kryetarin, pa MOCION nga Këshilli. Po kush po pyet për Statutin dhe nenin 43? Janë hapur fjalë se Kuvendi mund të mblidhet vete dhe mundet ta shkarkojë kryetarin (pa mocionin e nevojshëm). Dhe po u hap fjala se mundet, nuk vlen as statuti, as neni 43, as 53, as 153, nuk vlen asgjë. Mjafton vetëm fjala. Madje-madje të gjithë anëtarët e Këshillit të cilët nuk pranojnë mocion do të shpallen tradhëtarë, shërbëtorë të Ramës, të Sorosit, të Rothchildit e të Rockfellerit. (Si thotë i ndjeri Fadil Hasa te Oktapodi; as vetë se paskam dit sa agjent i rrezikshëm paskam qenë). Unë që kam deklaruar se nuk e jap firmën për kuvendin e parakohëshëm pasi kuvendi u mblodh me 17 korrik e çfarë kishin mund t’i adresonin aty.
Tashti parashikoj se nga demokrat korrekt e energjik deridje, nga njeriu që mbron PD në artikuj e studio televizive, do të dal tradhëtar i shitur dhe shërbëtor i Ramës. Ta bëjnë edhe ketë, se kanë problem aspak. Respekti për pikëpamjet ndryshe është zero. Problemi i madh është se as Kuvendi Kombëtar nuk mblidhet pa miratimin e kryesisë apo të këshillit. Dhe “tradhëtia” jonë këtu do të bëhet edhe më e rëndë.
Po e analizoja me imtësi neni 43 të statutit. Shkruhet se vendimin për mbledhjen e Kuvendit e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e PDSH, me propozim të kryetarit. Këto forume e marrin vendimin, askush tjetër. 1/4 e anëtarëve, mund ta mbledhë vetëm nëse ia miraton Kryesia e Këshilli (kjo sipas të gjitha interpretimeve që njeh jurisprudenca). Sepse në krye të pikës së nenit, shkruhet se vendimin e marrin Këshilli e Kryesia. Nuk e mbledh 1/4 vetë. Po t’i bëjmë interpretim normës statutore të nenit 43, pika 2, fjalia “Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDSH ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar”, ka dy karakteristika.
E para, kjo nuk është normë detyruese. Nuk shkruhet se “kuvendi mblidhet kur e vendos 1/4..”. Fjala “vendos” nuk ekziston askund që dmth se 1/4 nuk vendos vetë në mënyrë të pavarur për ta mbledhur Kuvendin. Po të ekzistonte, ajo normë do të klasifikohej normë detyruese. Por nuk është detyruese. Shkruhet “Kuvendi MUND të mblidhet”. Fjala MUND tregon për normë juridike lejuese, jo detyruese. Kuvendi MUND të mblidhet, nëse e vendosin Kryesia e Këshilli. Pra nuk ka asnjë detyrim statutor për ta mbledhur domosdoshmërisht. Në statut shkruhet “Mund të mblidhet kur E KËRKOJNË 1/4, (kur e kërkojnë tek Këshilli i Kryesia pra, jo kur e vendosin vetë)”. Kur të ndodhë që të mos miratohet kërkesa e 1/4, kryqëzata për tradhëti do të jetë shumë energjike dhe e tërbuar. Sdo të dojë askush të pyesë për statute e nene. Do jenë diçka pa rëndësi.
Sepse kjo punë nuk ka më lidhje me statutin e as me logjikën statutore (që e miratuan vetë me 17 korrik). Le çfarë përmendet statuti si kamuflim. Kjo punë është zgjidhur me fjalët “pabesi” dhe “shkelje buke”. Ka dalë jashtë politikës dhe kohës së sotme, ka shkuar tek Cikli i Kreshnikëve, ku fisi Berisha lufton me fiset Basha e Hoti në Bjeshkët e Jutbinës. Unë, ti, tjetri e tjetra, do të shpallemi si njerëzit që tentojmë të mbajnë Lulzim Bashën me zor, paçka se Bashën e mbajti dikush tjetër. E po të dorëhiqej Basha me 28 prill, mua as do më vinte gjynah, do e shihja si rutinë politike. Madje kur u thoja mbështetësve të Bashës se si rregull ky duhej të dorëhiqej pas 25 prillit, më shihnin shtrembër, çfarë po thotë ky! Unë as kam qeverisur me Bashën, as kam ndarë sekrete, as para, as influenca, asgjë. As kam ndonjë projekt me Bashën (edhe pse Basha e ka refren standard që thotë “jeni pjesë e projektit politik”). Përkundrazi, sot kam projekt tjetër lag nga Shqipëria; po u bë, merret vesh (po su bë, shnosh..).
Thjesht e kam zët të përdorem si numëror topi, ose ose, më rëndë se kaq, të më diktojnë qëndrimin me turma, me komente, me akuza, me sharje, me nemje. Me logjikë po, po më bindi dikush e pranoj. Me trysni, jo. Nuk jam as nip nga fisi Hoti, jam nip në Korçë. Por legjenda thotë se i pari i Vokshit kishte qenë duke fjetur nën hije të lisit. Ka shkuar dashi, i ka marrë yrysh e i ka ra me kokë, ballit. Dashi ka ngordhur, ndërsa atij, vetëm sa i ka dalë gjumi. Ta mbyllim pak si me shaka ketë por është mirë kur thuhen fjalët haptas. Politika është publike. Respekti për Berishën sdo tjetërsohet sepse ia ka bërë vendin vetes për ta respektuar. Mirëpo kemi edhe ne pikëpamjet tona, mirë, keq, përdreq, këto janë!
Tani le të vazhdojnë komentet me sharje..!
Shqiptarja.com