Mosha e tretë është kategoria më e riskuar nga probleme shëndetësore për shkak të Covid-19 dhe mutacioneve të tij që kanë mbërthyer botën për rreth dy vite. Por, impakti i virusit tek më të mëdhenjtë në moshë shkon edhe përtej riskut të lartë për infektime serioze; duke përfshirë problemet ekonomike dhe sociale. Pasqyrimi nga të dhënat e një vëzhgimi në mbi 18 mijë persona nga 11-vjeç deri në 65 vjeç në vendet e zhvilluara, tregon se Covid-19 ka ndikuar së tepërmi në sigurinë ekonomike e më të moshuarave.
Studimet e bëra në SHBA tregojnë se të moshuarit kanë vuajtur më shumë ekonomikisht nga pandemia COVID-19, me më shumë humbje të vendeve të punës kur kanë qënë të aftë fizikisht ose duke përdorur të gjitha ose shumicën e kursimeve të tyre.

Në të vërtetë pandemia ndikoi edhe në vemendjen që duhet të kenë qeveritë në të gjithë vendet e botës për kujdesin e shtuar në këtë kategori por në anën tjetër dhe të hartohen dhe miratohem skema për mbështetjen e tyre. Fakt është që popullsia evropiane po plaket, 9 nga 10 vendet në botë që zvogëlohen më shpejt në numër janë në Evropën Lindore. Kjo renditje kryesohet nga Bullgaria dhe Letonia, që pritet të humbasin gati një të katërtën e popullsisë së tyre deri në vitin 2050. UNFPA në raportet demografike evidenton se ky fenomen do të përshpejtohet edhe më tej në dekadat e ardhshme duke krijuar një barrë të rëndë ekonomike për buxhetin e familjeve dhe financat e shteteve.

Ekspertët e UNFPA-së, duke iu referuar rënies së numrit të lindshmërisë, thonë se vëmendje e madhe i është kushtuar politikave që mund të ndiqen për të mbështetur familjet për të rritur numrin e lindjeve, të cilat janë të ulëta në Evropën Lindore dhe pjesën tjetër të kontinentit (shkalla e fertilitetit total të Evropës është 1.6 fëmijë për grua).

Por drejtuesit e UNFPA nuk bien dakord me vendimet institucionale se motivimi financiar është zgjidhje. Studimet tregojnë se dhënia e parave njerëzve për të pasur më shumë fëmijë thjesht sjell që prindërit të kenë fëmijë më herët të stimuluar nga paratë, por nuk do të rrisin ndjeshëm numrin e fëmijëve që gratë kanë gjatë jetës së tyre. Ndihma financiare për familjet në nevojë mund të jetë një mjet i rëndësishëm, por duhet të jetë pjesë e një pakete më të gjerë politikash.

Me rëndësi, është që vendet e Evropës Lindore të shikojnë mënyrat për të luftuar plakjen duke garantuar mbështetje, mirëqënie dhe në anën tjetër për të thyer stereotipet për njerëzit e moshuar. UNFPA në sugjerimet që i bën shteteve respektive thotë se plakja si një realitet i patjetërsueshëm duhet të ndodhë në mënyrë të shëndetëshme. Pra të moshuarit të kenë akses në sistemet shëndetësore ku marrin përkujdesjen e tyre dhe në anën tjetër të përfshihen në shoqëri dhe në familje si një zë me përvojë në jetën e tyre.