“Fytyra e Djallit Shqiptar” është emri që kemi parë të qarkullojë në mediat botërore gjatë kësaj jave.

Djali në fjalë për të cilin ka reaguar edhe kryeministri britanik Boris Johnson, Selamet Mehmetaj, ka dhënë intervistën e tij të parë pas kamerës së fshehtë nga “Daily Mail”.

Ai ka rrëfyer të vërtetën e tij mbi trafikun e drogës dhe rrëmbimin e një personi që i preu dy gishta, për Ora News.

Ester Bylyku: Mediat të kanë quajtur “Baroni i Drogës”, madje edhe mediat greke kanë shkruar për ty. Si e komenton ti këtë?

Selamet Mehmetaj: Kjo ka dalë nga kamera e fshehtë e “Daily Mail”. Por të vërtetën do ta sqaroj tani. Nuk ka të bëjë me “Baron Droge”. Ajo ka qenë një kamera e fshehtë, që unë e dija se po më xhironin dhe i dhashë një histori që donte ai.

Ester Bylyku: Pjesa e kamerës së fshehtë, që bëri shumë bujë, si ndodhi ajo?

Selamet Mehmetaj: Kur u takova me atë personin, ai ishte gazetar, vura re se kishte një triko me pulla, dhe e pashë që kishte kamerën e fshehur, dhe kur u ktheva nga krahu i majtë, pashë dhe një person tjetër që po më filmonte.Unë thjesht nuk ia vura re, i dhashë atë që ai donte të merrte nga unë. I thashë një super shaka të paparë, që asnjë nga ato nuk janë të vërteta.

Ester Bylyku: Ti i ke thënë gjërat sipas versionit tënd, por ajo që ne duam të dimë është: Çfarë pune bën ti në Angli?

Selamet Mehmetaj: Unë jam hidraulik. Kam kompaninë time, ndërtoj shtëpi. Më shumë merrem me hidraulik por ndërtoj dhe shtëpia. I prish, i rregulloj dhe i bëj të reja. Gjithmonë kam dashur të bëhem inxhinier gazi. Kam shumë vite që e bëj këtë punë.

Ester Bylyku: Ajo që ka tërhequr vëmendjen, ka qenë makina jote, e cila kushton 50 mijë paundë. Si ke arritur ta blesh këtë makinë?

Elamet Mehmetaj: Është e vërtetë. Kam thënë që e kam, nuk po e mohoj, e kam sepse kam punuar shumë për atë makinë. Nuk është e njëjta vlerë sikur e blen të re, pas disa vitesh i ka rënë vlera. Unë nuk kam mundur ta blej të gjithë makinën direkt, se ku t`i marr 50 mijë paundë se janë shumë. Por si çdo shqiptar normal edhe unë kam marrë kredi ta blej atë makinë. Kam ende 20 mije kredi pa paguar.

Ester Bylyku: Gjithashtu, ke pohuar dhe ke folur me detaje për trafik të lëndëve narkotike, këtë si e komenton? Si është e vërteta?

Selamet Mehmetaj: Po, e vërtetë që i kam dhënë disa detaje. Është një pjesë e një filmi që e ndjek dhe më pëlqen dhe thjesht më erdhi në mend në atë moment. I kam treguar çdo detaj të një filmi që ekziston dhe ia kam thënë atij. Filmi që unë po flas në atë video është “Sharra”.