Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon deklaroi sot nga Beogradi se raporti i KE për përparimin e Serbisë në procesin e anëtarësimit përmban shumë kritika.

Sipas saj ky raport ka një tendencë për t’i dhuruar diçka presidentit serb para zgjedhjeve. Raportuesja e PE vlerësoi se nuk është detyrë e Komisionit Europian që ta bëjë këtë.

“Është nënshkruar nga komisioneri hungarez (Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi) dhe siç thashë më herët, ka një tendencë për t’i dhënë diçka presidentit serb para zgjedhjeve, gjë që është normale dhe në rregull, por kjo nuk është punë e Komisionit”, tha Cramon para gazetarëve dhe vlerësoi se raporti ka shumë pika kritike.

Ajo tha ndër të tjera se pak vende anëtare janë të vetëdijshme për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe nuk kanë interes për zgjerim.

“Nëse jemi më të pranishëm dhe nëse e dimë se çfarë po ndodh, mund ta kuptojmë më mirë. E nëse nuk jeni të interesuar, është normale të keni zhgënjim në vendet që duan të anëtarësohen sepse disa vende bëjnë përparim, por hudhen në të njëjtën shportë me disa që nuk bëjnë asnjë përparim. I gjithë rajoni shihet si i pashpresë”, u shpreh Cramon.