Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe deputetë të Qarkut Elbasan, morën pjesë në aktivitetin e organizuar nga Forumi i Gruas Socialiste Elbasan në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

Në fjalën, teksa theksoi se ky është një aktivitet sensibilizues për shëndetin, Gjiknuri nënvizoi se sa e rëndësishme është diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve tumorale.

“Në fakt shëndeti është gjëja më e rëndësishme që ne kemi. Njerëzit bredhin pas gjërave të tjera sepse mendojnë se shëndetin e kanë aty dhe ai punon për ta.

Por kur të ndodhin fatkeqësi dhe e shikon nga afër e kupton se asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme se shëndeti. Në fund të fundit është trupi juaj, është vetja juaj. Shëndeti është gjëja më themelore. Gjithçka duhet parandaluar në kohë.

Njerëzit shpeshherë mendojnë se nëse janë mirë nga anët e tjera shëndetin e kanë në xhep. Kjo nuk është e vërtetë, përkundrazi. Fatkeqsisht ne ndonjëherë kujdesemi më shumë për makinën sesa për shëndetin tonë. Kur të ndodh e keqja atëherë takon realitetin”, u shpreh Gjiknuri.

Numri dy i Partisë Socialiste vijoi më tej kur tha se: “Një gjë që kapet në kohë, parandalohet në kohë. Në këtë muaj sensibilizimi le ti bëjmë thirrje të gjithëve: mendoni për shëndetin. Nëse keni shëndetin, dhe fëmijën do e kesh mirë, dhe punën do e kesh mirë.”

“Unë ju uroj gjithë të mirat, bëni më të mirat e mundëshme. Mbi të gjitha kujdesuni për shëndetin tuaj, të tjerat vijnë mbrapa”, mbylli fjalën e tij Gjiknuri.

Ministrja, Evis Kushi, njëherazi deputete e Elbasanit, theksoi se është shumë e rëndësishme të edukohet kultura e përkujdesjes për shëndetin.

“Ne kemi përfshirë në kurrikulën mësimore, në disa lëndë, edukimin shëndetësor në mënyrë që vajzat të dinë se çfarë rreziqesh mund të kenë në të ardhmen dhe të kujdesen për shëndetin e tyre.Po ashtu po punojmë dhe me shumë organizata për projekte specifike sesi ti edukojmë sa më mirë vajzat, të rinjtë e të rejat të kujdesen për shëndetin e tyre”, tha Kushi.