Situata epidemiologjike po rëndohet gjithnjë e më shumë në Greqinë e Veriut dhe specialistët kanë dhënë alarmin, veçanërisht për Selanikun, i cili për të dytën herë rresht ka kaluar në rastet ditore të infektimit kryeqytetin grek dhe rrethinat e tij në një moment kur në Greqi janë identifikuar edhe rastet e para me variacionin e rrezikshëm të koronavirusit “Delta Plus”.
Është karakteristik fakti se me 3643 infektimet e 24 orëve të fundit, 661 prej të cilave vetëm në Selanik, Greqia ka regjistruar javën më të keqe nga fillimi i pandemisë, gjithashtu duke shënuar edhe rekordin e vdekjeve të 5 muajve të fundit.
Me 55 humbjet e jetës numri i të vdekurve nga fillimi i pandemisë ka shkuar në 15,856. Gjithashtu edhe të intubuarit numërohen tashmë në 392 dhe në spitalet e Selanikut dhe të Greqisë së Veriut nuk ka më dhoma të lira intubimi, ndaj autoritetet kanë kërkuar ndihmën e klinikave private. Situatë e rënduar epidemiologjike regjistrohet edhe në Thesali, kryesisht në qytetet e Larisës dhe Volosit.
Specialistët theksojnë se shkak kryesor për shpërndarjen e virusit janë të rinjtë që nuk vaksinohen. Ata kanë bërë thirrje orët e fundit, duke treguar edhe studimet e fundit nga qendra për parandalimin e sëmundjeve infektive të SHBA se edhe personat që infektohen nga virusi dhe më tej nuk vaksinohen kanë pesë herë më tepër mundësi për tu riinfektuar se ata që janë të vaksinuar.
Gjithashtu bëjnë thirrje edhe për kryerjen e dozës së tretë. Mjekët shprehen të shqetësuar për një valë të re të fuqishme të përhapjes së pandemisë në fund të vitit pranë festave, ndërkohë që autoritetet ripërsërisin se nuk do të ketë më lockdown të përgjithshëm, por masa të reja për të pavaksinuarit.
Ato po shqyrtojne seriozisht propozimet që qytetarët e pavaksinuar të bëjnë dy teste të shpejta në javë për të shkuar ne punë, me shpenzimet e tyre, ndërkohë që flitet edhe per kufizime të mëtejshme për ta, sa i përket pranisë së tyre në mjedise publike të mbyllura dhe te hapura , restorante, kafe dhe bare.