Me një postim në profilin e tij zyrtar social, Paul Pogba, mesfushori i Manchester United, ka vendosur t’i përgjigjet njërit prej lajmeve të shumta rreth tij, që po qarkullon sot. Pas kritikave të marra për paraqitjen e tij për t’u harruar ndaj Liverpool-it, kompletuar me kartonin e kuq të marrë pak minuta pas aktivizimit, “Oktapodi” ishte në qendër të disa thashethemeve që përfshijnë edhe një sherr me Solskjaer, pas ndeshjes.

Duke iu referuar një artikulli të publikuar nga “The Sun”, Pogba nuk e ka “kafshuar gjuhën”: “Gënjeshtra të mëdha për të bërë lajm”. Referenca është pikërisht tabloidi britanik, që kishte shkruar se francezi ishte i zemëruar me Solskjaer, me të cilin kishte shkëmbyer edhe ndonjë fyerje.

Në Instagram, i njëjti mesfushor francez më pas rriti dozën: “Gazetat duan të krijojnë polemika me lajme 100% të rreme. Ka gazetarë që përdorin emrin tim për të krijuar diçka që nuk ekziston. E vetmja arsye që unë e shkruaj këtë, duke iu referuar lajmeve të rreme se nuk respektoj trajnerin, klubin dhe të gjithë tifozët, është mesazhi: sa më pak t’i lexoni këto gjëra, aq më mirë. Këta njerëz nuk kanë turp dhe modesti, shpikin disa gjëra pa bazë”.