Nga Enver Robelli/

Dragan J. Vučićević është kasapi medial i Aleksandar Vučićit.

Si kryeredaktor i gazetës “Informer” ai ekzekuton çdo ditë me gënjeshtra secilin që mund të kritikojë keqqeverisjen e shefit të tij real, pra Vučićit.

Në një dokumentar të televizionit “N1” kështu përshkruhet Dragan J. Vučićević:

Ai është simbol i gjendjes së neveritshme në shoqërinë serbe.

Simbol i shoqërisë së skllavëruar. Fundërrina e fundërrinës. Në këtë terr ai është prokuror, gjykatës, shpikës i spinave, xhelat, sherif, interpretues i certifikuar i të gjitha komploteve. Përbindësh moral.

Njollë e turpshme. Rojtar medial i kampit të shfarosjes. Ai që e nisi modifikimin gjenetik të gazetarisë. Përherë në shërbim të qarqeve kriminale dhe rrymave politike.

Njeri që e ka dashur gazetarinë, por gazetaria nuk e deshi atë. I zemëruar për shkak të dashurisë së pakthyer, ai e përdhunoi gazetarinë.

Lajmet e agjencive i deklaronte si të tijat, ka shpikur madje intervista, rrenat i ka nënshkruar me sintagmën ‘ekipi i Nacionalit’ (gazetë ku Vučićević ka punuar më herët), vrasës medial me pagesë.

Siç ka thënë edhe vetë: definicioni i gazetarisë së tabloideve është: futja! Përfaqësues i katër kalorësve të apokalipsit: murtajës, urisë, luftës dhe vdekjes.

Truproja orale e Vučićit. Kalorës i propagandës së zezë. Ose me fjalët e Sigmund Freudit: mungesa totale e turpit është shenja e parë e budallallëkut.

Ose, me fjalët e ish-ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Randolph Scott, ‘Informer’ është bërllok.