Makina të konfiskuara nga organizatat e krimit të organizuar po i kthehen komunitetit në formën e bibliotekave lëvizëse.

Këtë e ka bërë të ditur, Ministria e Brendshme, të enjten e 28 tetorit, përmes një postimi në median sociale Facebook.

“Bibliotekat lëvizëse do t’u shërbejnë fëmijëve dhe të rinjve në zonat e thella, por edhe qytetarëve të interesuar për librat, si bazë për një të ardhme të qëndrueshme përtej ekonomive ilegale”, shkruhet në njoftimin zyrtar.

Ka qenë Agjencia e Administrimit se Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, bashkë me kompaninë gjermane GIZ, që kanë bashkëpunuar me Ministrinë e Brendshme për të ndërmarrë një aksion të tillë.

Sipas njoftimit të Ministrisë, biblioteka e parë lëvizëse iu dorëzua Bashkisë Shkodër, në kuadër të aktiviteteve të “Tetori Gjerman”, ndërsa e dyta do të vihet në shërbim të komunitetit të Dibrës.