Qeveria malazeze prezantoi një projektligj të ri për origjinën e pasurisë. Nëse ai miratohet, atëherë do të bëjë të mundur edhe zbardhjen e rasteve të pasurive të paligjshme dhe korrupsionit nga e kaluara. Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç që koordinon sektorin e sigurisë tha se një ligj i tillë në vende të ndryshme quhet Ligj Antimafia”.
Ai do të jetë sipas Abazoviç një grusht i fortë ndaj korrupsionit në vend dhe do t`i japë fund “pasurimit të paligjshëm të kriminelëve, funksionarëve dhe mafiozëve.” “Nëse dikush nuk mund të justifikojë prejardhjen e pasurisë, ajo do të kalojë në pronësi të shtetit. Për ne me rëndësi është prona, e ky ligj do të na mundësojë që të hulumtojmë rastet e njohura në Mal të Zi edhe nga e kaluara, që nuk kanë marrë drejtimin e pritur nga prokuroria dhe publiku,” vazhdoi ai.
Abazoviç kujtoi se ka ndodhur që njerëzit të shpëtonin nga aktakuza, edhe pse dihej, se nuk kishin mundësi ta justifikonin pasurinë. “Nuk kanë asnjë të ardhur të deklaruar, janë të papunë e kanë pasuri të mëdha hotele, shtëpi luksoze, automjete prej disa dhjetra mijëra eurosh”, u shpreh ai, ndërsa kërkoi “që të gjitha organet të japin ndihmën e tyre që ligji të miratohet dhe të përkrahet nga të gjithë deputetët. Do të doja të shihja se cili nga deputetët nuk është i gatshëm që të përkrahë një ligj të tillë dhe për çfarë arsyeje”, u shpreh Abazoviç.