Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i dërgoi një letër urimi Presidentes së Bundestagut gjerman, Bärbel Bas, me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë.
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, ju përcjell përgëzimet më të sinqerta me rastin e zgjedhjes suaj Presidente e Bundestagut dhe ju uroj shumë suksese në detyrën tuaj të lartë dhe fisnike. Gjej rastin të shpreh mirënjohjen e thellë dhe vlerësimin më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të Bundestagut dhe Qeverisë Federale në rrugëtimin e Shqipërisë drejt perspektivës europiane dhe anëtarësimit në BE, thuhet në letër.
Nikolla vlerëson se Gjermania është lokomotiva politike dhe ekonomike e Europës dhe kjo mbështetje është me rëndësi të madhe në kuadrin e Bashkimit Europian.
Dëshiroj të shpreh vullnetin dhe angazhimin tim për forcimin e lidhjeve mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut gjerman, duke pasur të qartë rolin e parlamenteve e parlamentarëve si përfaqësues të qytetarëve dhe aspiratave të tyre, tha ajo.
Sipas Nikollës, Parlamentet mund të kontribuojnë jo vetëm në fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh, por edhe në arritjen e qëllimeve të përbashkëta globale, paqes, shëndetit dhe mirëqenies.
Së bashku do të jemi më të fortë për përballimin e sfidave të së tashmes dhe së ardhmes, shkruan në letrën e urimit Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.