Ambasada Italiane në Tiranë ka hapur një konkurs për projektimin e godinës së re të selisë diplomatike. Në prezantimin e projektit, kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj u shpreh entuziast për faktin që një konkurs i tillë nga shteti ynë fqinj hapet për herë të parë në Tiranë dhe përfshin edhe arkitektë vendas.
“Sot jam dy herë i lumtur që prezantojmë këtë projekt. Së pari, sepse unë besoj fort që është një mundësi e jashtëzakonshme për të prodhuar një akupunturë në trupin e qytetit, e cila mund të prekë një nerv, por në të njëjtën kohë do të kemi më në fund një seli moderne, në qendër të Tiranës dhe një hapësirë e cila do t’i jepet dhe do jetojë me qytetin, duke filluar nga rikthimi në ambasadë i Institutit Italian të Kulturës, tek salla e ekspozitave, koncerteve. E shoh si një mundësi fantastike për Tiranën, si një shans për të pasur një bizhu të arkitekturës dhe lajmi i mirë është që në fakt nuk e lançojmë këtë projekt në Romë, e lançojmë në Tiranë, dhe gara ndërkombëtare përfshin edhe arkitektët tanë,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës ka folur edhe për vendimin më të fundit të qeverisë për shpronësimin e Sarajeve, të cilën e ka quajtur një akt të paprecedentë sa i përket ruajtjes së monumenteve kulturore në vend. “Sot është një ditë dyfish e veçantë, sepse sapo morëm në pronësi kundrejt një pagese 2.5 milion euro Sarajet e Tiranës, për të ruajtur atë që është me ligj monument kulture, jo që improvizohet sipas interesit politik. Qyteti për herë të parë ka zhvilluar kështu një precedent, ku shpronëson për interes publik prona që, siç u pa, edhe nga ngjarjet e fundit, kanë qenë në rrezik për t’u tjetërsuar. Ndërkohë që, sot kemi një tjetër precedent, sot marrim vendim që t’i themi lamtumirë nostalgjisë për ambasadën e vjetër dhe në këtë sens unë do ta çoj pak më lart stekën, se marrëveshja që kemi bërë nuk është që të kemi një ambasadë të bukur, por të kemi ambasadën më të bukur të Italisë kudo në botë, edhe më të bukur se ajo në Brazilia,” u shpreh ai.
Veliaj nxiti arkitektët shqiptarë të zhvillojnë sa më shumë ide, duke përmendur edhe projekte të ngjashme me atë të ambasadës italiane në Tiranë. “Ne kemi shumë plane që duam të zhvillojmë. Kemi gjithashtu një konkurs për Bashkinë e re, kemi një konkurs për disa hapësira që duam t’i vendosim te “Bulevardi i Ri”, kemi disa hapësira siç është lagjja e re në Kombinat, lagjja e re te “5 Maji”” u shpreh Veliaj.