Nga qyteti i Shkodrës me artin e tij të pikturës, Agim Kadillari e ka gjetur veten këtë herë në fshatin turistik të Dardhës, aty ku vjeshta me ngjyrat e saj është një burim i pashtershëm frymëzimi. Talentin e tij në pikturë e ka zbuluar herët në fëmijëri, kur ishte në klasë të pestë dhe që prej asaj kohe ai nuk i ndahet pasionit të tij.

Mbaj mend që në klasën e pestë, një mësues i vjetër më pa që vizatoja me shumë dëshirë dhe pasion e më tha. Ti ke mundësi djalosh dhe mund të bëhesh piktor, prandaj vazhdo këtë talent që ke. Ajo më bëri përshtypje që i vogël dhe unë që atëherë, nuk i jam ndarë artit”, tha piktori.

Këtë vjeshtë piktori nga Shkodra i është bashkuar kolonisë së ekspozitës ndërkombëtare “Ditët e Mios”, që nderon mjeshtrin shqiptar të peizazhit.

“Në rrethin e Korçës kemi vënë re, që vjeshta është shumë e bukur. Janë disa arsye, pse është e bukur edhe nga një nga arsyet pasi ajo është 800 m mbi nivelin e detit. Por këtu ka dhe zona shumë piktoreske siç është tani zona e Dardhës, Vithkuqit, Voskopoja, Polena afër qytetit të Korçës. Pra, ka shumë zona piktoreske që ne na emocionojnë”, tha Agim Kadillari

I dashuruar me ngjyrat e natyrës dhe peizazhin e bukur që ofron fshati turistik, me me krijimtarinë e tij piktori shkodran derdh emocionet e tij, për të sjellë një copëz “Dardhë” në artin e vet.

“Piktura më shumë përjetohet, sepse është përjetim emocionesh. Vlerësojmë më shumë ato emocione që ne i shikojmë dhe përjetojmë, pra ato përshtypje që ne na bëjnë më shumë në natyrë ne kërkojmë që t’i evidentojmë në telajo”, u shpreh piktori.

E njohur për atraksionin e natyrës, Dardha e bukur është bërë vitet e fundit një destinacion tërheq për turistët vendas e të huaj. Këtë vjeshtë 23 piktorë nga disa vende të botës janë bërë pjesë e ekspozitës “Ditët e Mios” organizuar për të 11-tin vit radhazi në Korçë.