Ikën Kylian Mbappe vjen Erling Haaland, është ky objektivi i drejtuesve të Paris Saint Germain për merkaton e verës së ardhshme.
Në pamundësi për të mbajtur kundër vullnetit të tij Kylian Mbappe në skuadër, i cili sipas të gjitha gjasave do të largohet në fund të këtij sezoni kur t’i përfundojë kontrata me parametër zero nga PSG me destinacion të ri Realin e Madridit, drejtori sportiv i parizienëve Leonardo po mendon ta zëvendësojë me Erling Haaland.
Për norvegjezin e talentuar Borussia e Dortmundit refuzoi një ofertë prej 120 milionë eurosh gjatë kësaj vere duke patur parasysh edhe faktin që vitin tjetër hyn në fuqi klauzola e largimit prej 75 milionë eurosh e Haaland nga verdhezinjtë.
Pikërisht këtë detaj në kontratën e Haaland me Dortmundin do të kërkojë të shfrytëzojë Leonardo për ta marrë nordikun te PSG edhe pse drejtori sportiv i parizienëve duhet të përballet edhe me kërkesat e larta të menaxherit të lojtarit Mino Raiola.
Ky i fundit kërkon një kontratë afatgjatë me një pagë të kripur prej 50 milionë eurosh në sezon për futbollistin ndërkohë që synon edhe një komision të majmë prej dhjetra milionë eurosh për xhepat e tij.
Nëse ky transferim bëhet realitet verën e ardhshme atëherë Erling Haaland do të bëhet futbollisti më i paguar në botë duke kaluar kështu edhe emra si Messi, Neymar, Cristiano Ronaldo e Mbappe.
Haaland ka një mesatare të frikshme goli teksa në më pak se dy vite me Dortmundin ka shënuar 68 gola në 67 ndeshje.