Abuzimi seksual dhe dhuna tek fëmijët e adoleshentët është një nga fenomenet më të vështira në nivel global. Çdo formë dhune e shfaqur ka ndikim të drejtëpërdrejtë në jetën e individit, shkel të drejtat e njeriut dhe krijon shumë pasoja, sociale, psikologjike dhe shëndetësore afatshkurtëra dhe afatëgjata. Në Shqipëri nga studimet e bëra nga institucionet shëndetësore dhe organizatat në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve dëshmojnë për një prevalencë të lartë të keqtrajtimit të fëmijëve ku format më të shpeshta të abuzimit gjatë fëmijërisë ishin ato fizike 40%, psikologjike 50%, seksuale 6%, dhe të qënit dëshmitarë të keqtrajtimit të nënës (rreth 30%).
Referuar gjinisë, studimet tregojnë se 30% e meshkujve adoleshentë dhe 20% e femrave kanë ngacmuar të tjerët. Në rastin e femrave adoleshente, ato kanë pohuar se janë ngacmuar nga një bashkëmoshatar i tyre.
Nisur nga këto të dhëna, ekspertët e shëndetit theksojnë se adoleshentët dhe të rinjtë duhet të jenë në gjendje të kenë përvoja seksuale në kohën e duhur të zhvillimit duke bërë zgjedhjen e tyre. Natyra dhe dinamika e abuzimit seksual dhe marrëdhënieve abuzive seksuale janë shpesh traumatike. Kur abuzimi seksual ndodh në fëmijëri, ai mund të pengojë rritjen normale shoqërore dhe të jetë shkak i shumë problemeve të ndryshme psiko-sociale .
UNFPA në Shqipëri është e angazhuar në misionin e saj të adresoj situata të ndryshme që kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe adoleshentët jo vetëm duke rritur dhe duke punuar më shumë me ndërgjegjësimin por duke bërë aktorët bashkë në dhënien e zgjidhjes në rast kur shkelet të drejtat themelore të tyre.
Për UNFPA-në është e rëndësishme që njerëzit të jenë në gjendje të kenë një jetë seksuale të kënaqshme dhe të sigurt, aftësinë për të riprodhuar e pasur fëmijë dhe lirinë për të vendosur nëse, kur dhe sa shpesh ta bëjnë këtë.
Në rastin e fëmijëve është tejet shqetësuese çdo tentativë që cënon lirinë dhe shëndetin e tij. Ndërsa për popullatën në përgjithësi, qëllimi është për të ruajtur shëndetin seksual dhe riprodhues dhe për këtë njerëzit kanë nevojë për akses në informacione të sakta dhe metoda kontraceptive të sigurta, efektive, të përballueshme dhe të pranueshme sipas zgjedhjes që bëjnë vetë. Ata duhet të informohen dhe të fuqizohen për të mbrojtur veten nga infeksionet e transmetuara seksualisht. Dhe, kur vendosin të kenë fëmijë, gratë duhet të kenë akses në shërbime që mund t’i ndihmojnë ato të kenë një shtatzëni të mirëkontrolluar, të lindin fëmijën në mënyrë të sigurt dhe të shëndetshëm.
Çdo individ ka të drejtë të bëjë zgjedhjen që do për shëndetin e vet seksual dhe riprodhues. UNFPA, së bashku me një numër të madh partnerësh, punon me qëllimin që të krijohet akses universal në shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese dhe për këtë trajnon punonjës të shëndetësisë për të ofruar shërbime cilësore të planifikimit familjar. Mbështet ofrimin e shërbimeve të shëndetit seksual dhe riprodhues miqësor për të rinjtë. Nxit qasje të reja për t’u siguruar personave në nevojë të kenë akses në marrjen e kontraceptivëve. Mbështet grupet më të margjinalizuara, sidomos gratë, vajzat dhe të rinjtë që të kenë dhe të ruajnë shëndet të mirë në situata emergjence.