Nga Niko Peleshi/ Kriza energjetike që ka filluar të prekë ekonominë botërore nuk vjen për mirë. Ajo do të prekë financat tona dhe kjo nuk është as në dorën e qeverisë , as në dorën e opozitës shqiptare. Kryeministri ka garantuar se menaxhimi i krizës do të bëhet me mjete dhe burime që nuk prekin çmimin e energjisë për konsumatorët dhe bizneset. Opozita nuk mund të pretendojë më tepër se kaq. Premtimet për dyfishim pagash, trefishim pensionesh, katërfishim subvencionesh apo zerim taksash, mbeten lojë populiste dhe spekulim.Si mund të rriten shpenzimet për paga, pensione, subvencione duke i ulur të ardhurat nga tatim-taksat në buxhet?Populistët nuk i përgjigjen asnjëherë pyetjes: “Si do ta bëni?”, por i përgjigjen me zell pyetjes: “Çfarë do të bëni ?”.Veçse, çfarë duhet të bëjmë sot në Shqipëri nuk është rritja e pagave dhe pensioneve me urdhrin e peshkut, por është një politikë afatgjatë për rritjen e PRODUKTIVITETIT. E thënë thjesht, sa prodhojmë me burimet që kemi në dispozicion. Në të dhënat e Bankës Botërore për vitin 2015,(ndjesë për mungesën e të dhënave më të freskëta) në Shqipëri, një i punësuar prodhonte në vit mesatarisht 28.300 euro produkt të brendshëm bruto (GDP). Ndërkohë, në të njëjtin vit, një i punësuar në Bullgari prodhonte 40.000 euro GDP, në Kroaci 54.000, në Estoni 56.000 dhe në BE mesatarisht 81.000 euro GDP.
Rritja e produktivitetit nuk është çështje masash. Produktiviteti ka disa fjalë kyçe të tjera, të ndryshme nga ato që propozon opozita në paketat magjike. Këto fjalë nuk janë rroga, pensione, subvencione, përjashtime nga taksat. Fjalët kyçe që lidhen me politikën afatgjatë për rritjen e produktivitetit janë: DIJE, INOVACION, TEKNOLOGJI. Nëse një fermer përdor dijen, pra nëse këshillohet me specialistët e duhur dhe përdor teknologji të kohës, vlera e produkteve të fermës së tij do të disafishohet. Nëse krahasojmë të ardhurat nga një sipërfaqe e mbjellë me grurë, me të ardhurat nga një serë me të njëjtën sipërfaqe, raporti është 1:100. Thënë ndryshe, produktiviteti është 100-fish më i lartë në rastin e dytë. Pra, politika e mbështetjes së serave nuk duhet parë si një zgjedhje e rastit, por si qasja e duhur drejt rritjes së produktivitetit në bujqësi. Rritja e shpejtë e eksporteve bujqësore është prova kuptimplotë e kësaj politike. Vendet perëndimore, të cilave iu referohemi, i kanë filluar prej dekadash politikat për rritjen e produktivitetit, ndaj sot janë shumë para nesh. Nëse marrim shembullin e produktivitetit të Hollandës, në sektorin e bujqësisë, shifra është shokuese: Hollanda ka më pak se dyfishin e sipërfaqes së Shqipërisë por eksporton 790 herë më tepër (në vlerë) produkte bujqësore se Shqipëria.
Hollanda e ka sipërfaqen 415 herë më të vogël se Rusia, por eksporton 8-9 herë më tepër produkte bujqësore. Pra PRODUKTIVITETI bën diferencën. Ky shembull i thjeshtë parathotë proçeset që duhet të ndërmarrë e gjithë shoqëria jonë, duke investuar së pari, në DIJE, INOVACION E TEKNOLOGJI. E thënë me fjalë të tjera, rritja e produktivitetit nuk është çështje e lëvizjeve buxhetore brenda zërave të buxhetit të shtetit, por është një lëvizje shoqërore për inovacion. Burimet financiare të nevojshme për të përballuar këto proçese nuk janë pengesë por mundësi që krijohet sapo të realizohen tre faktorët e parë të produktivitetit – DIJA, TEKNOLOGJITË e reja dhe INOVACIONI.
Le të supozojmë se qeveria vendos të rritë pagën minimale në 500 Euro me një VKM. Ajo që do të pasojë është falimenti i gjithë sektorit të fasonerisë, pra dhjetra mijëra punëtorë do të mbeten pa punë. Kjo sepse, deri tani ky sektor është mbështetur te kostoja e ulët e krahut të punës. Por ky është një avantazh krahasues i përkohshëm dhe në konflikt me rritjen. Nëse ky sektor, mbështetur te fuqia e kreativitetit dhe inovacionit, do te mbyllë këtu në Shqipëri të gjithë ciklin e prodhimit dhe shitjes, nga krijimi i dizenjove e deri tek eksporti te bleresit e dorës së parë, atëherë do ta ketë më të mundur të përballojë edhe rritjen e pagave të punonjësve. Kështu ndodhi në Barcelonë, ku lulëzoi industria e veshjeve falë kreativitetit të disa kompanive si Zara, Pull&Bear, Stradivarius, Bershka, Desigual, etj. Natyrisht që në këto kompani punëtori paguhet disa herë më tepër se në Shqipëri dhe industria, falë produktivitetit të lartë, nuk falimenton por vetëm rritet.
Biznesi i madh apo i vogël që e bazon konkurueshmërinë në treg te kostoja e ulët e fuqisë punëtore, pa rritur produktivitetin, do të falimentojë të nesërmen e rritjes pa kriter të pagës minimale.Po marr edhe një shembull tjetër. Pse specialistët e programimit dhe shërbimeve digjitale në Shqipëri paguhen 2-5 herë më shumë se specialistët e bujqësisë?Sektori i teknologjive digjitale ka produktivitet të lartë sepse përdor DIJET dhe TEKNOLOGJITË bashkëkohore e për rrjedhojë krijon produkte me vlerë të lartë. Pra rritja e produktivitetit sjell rritjen e pagave dhe jo anasjelltas.Duke e thjeshtuar mund të themi se, kur mesatarisht të dy-trefishojmë produktivitetin në të gjithë sektorët mbështetur tek EKONOMIA E DIJES, atëherë edhe pagat e pensionet në Shqipëri do të jenë të krahasueshme me BE.
Rritja e produktivitetit në të gjithë sektorët do të shtojë burimet për shërbime më të mira publike, për më shumë investime në infrastrukturë por edhe mbrojtje e siguri kombëtare. Ndaj vendosja e inovacionit dhe transformimit digjital në prioritetet e programit të qeverisë, krahas synimit për ndërkombëtarizimin e universiteteve, është një lajm më i mirë se sa premtimet e vjetëruara në stil dhe në përmbajtje të opozitës shqiptare. Edhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare ne po rimodelojmë dijen në Akademi dhe Forcat e Armatosura, po investojmë në teknologji të reja dhe po ndërtojmë ekosistemin e inovacionit. DIJA, INOVACIONI dhe TEKNOLOGJIA janë rruga. Të tjerat janë humbje kohe në një Shqipëri që nuk ka asnjë minutë kohë për të humbur.