36 mijë mësues të ciklit parauniversitar më 1 korrik të vitit 2022 do të përfitojnë rritje me 6% të pagës.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2022 në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se financimi i sektorit të arsimit do të mbahet në një nivel konstant në raport me PBB prej mbi 3% përgjatë periudhës 2022-2024.

“Në këtë sektor do të financohet me përparësi ofrimi i teksteve shkollore falas për nxënësit që ndjekin arsimin bazë, si dhe tekste shkollore falas për nxënësit nga shtresa sociale në nevojë në arsimin e mesëm të lartë. Nga kjo politikë do të përfitojnë rreth 263 mijë nxënës”, tha Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, ajo tha se projektbuxheti siguron shërbimin e transportit, si dhe mbulimin e shpenzimeve të transportit të 32-35 mijë nxënësve që kanë vendbanimin e tyre mbi 2 km nga shkolla, si dhe transportin për rreth se 12 mijë mësuesve që punojnë mbi 5 km nga vendbanimi/qendra e përhershme e punës në shkollë.

Sipas saj, për vitin 2022 e në vijim janë alokuar dhe 250 milionë lekë shtesë për shërbimin e transportit të nxënësve dhe mësuesve.

Ibrahimaj deklaroi se shpenzimet kapitale në arsimin bazë dhe të mesëm llogariten 1.9 miliardë lekë dhe do të riorientohen për projekte që fokusohen më tepër në krijimin e laboratorëve shkencorë si dhe klasave per IT. Ndërkohë 700 milionë lekë do të shkojnë për projektet twining për Universitetet.