Kur Qudratullah ka humbur fermën e familjes së tij në veri të Afganistanit, më herët gjatë këtij viti, shkak nuk ka qenë lufta.
Ai është përballur me këtë situatë për shkak të thatësisë së madhe – një prej kushteve ekstreme klimatike në Afganistan.
I zhvendosuri 58-vjeçar, dikur ka mbajtur një familje prej 18 anëtarësh me të korrat dhe bagëtinë që ka rritur në tokën e tij në fshatin Beto të provincës Jovzjan.
I papunë dhe i dëshpëruar, ai është duke kërkuar punë në kryeqytetin e provincës Sheberghan.
“Për shkak të thatësisë, neve na është dashur të largohemi nga ferma jonë”, ka thënë Qudratullah për Radion Azadi të Rados Evropa e Lirë.
“Nuk kemi pasur të ardhura tjera. Gjithçka që kemi mbjellë, është shkatërruar. Nuk kemi pasur ujë dhe asgjë për të ngrënë”.
“Nuk më mbeti asgjë nga bagëtia”, ka thënë Qudratullah.
“Më është dashur t’i shesë të gjitha. Edhe nëse do të kishim pasur një apo dy, situata ka qenë aq e keqe, saqë nuk do të mund t’i mbanim ato”.
Qudratullah nuk është vetëm.
Ish-fermeri ka thënë se shumë njerëz në zonën e tij kanë kaluar më shpejt në zonën e qytetit.
“Uria dhe etja kanë detyruar njerëzit që të largohen nga shtëpitë e tyre”, ka thënë ai.
“Fëmijët janë duke vuajtur për bukë. Njerëzit nuk kanë asgjë për të ngrënë”.
Duke vënë theksin te kushtet e rënda klimatike në Afganistan, shirat e rrëmbyeshëm kanë goditur me raste të njëjtat zona që tani po përballen me thatësi.
Vite më parë, shirat kanë vërshuar shtëpinë e Qudratullahut dhe fqinjëve të tij.
Atëbotë, nuk ka pasur infrastrukturë për të ndalur përmbytjet ose për t’i mbledhur reshjet në ndonjë rezervuar për përdorim të mëvonshëm.
Rajoni Darzab ka qenë nën kontrollin e talibanëve për vite dhe militantët kanë bërë shumë pak për t’iu ndihmuar banorëve lokalë gjatë përballjes me kushtet ekstreme klimatike, prej marrjes së pushtetit në Afganistan në muajin gusht, ka thënë Qudratullah.
Ai ka thënë se jeta e tij tani është një rrëmujë e vazhdueshme.
“Vetëm një person që zhvendoset e di çfarë nënkupton zhvendosja”, ka thënë ai.
“Është shumë e vështirë. Varem vetëm nga Zoti. Nuk e kemi askënd që mund të na ndihmojë”.
Miliona persona në rrezik
Ekspertë për klimën parashikojnë se jeta për një pjesë të madhe të popullsisë së Afganistanit prej 38 milionë banorësh, mund të jetë sikurse e Qudratullahut në të ardhmen, për shkak të ndryshimeve klimatike.
Temperatura mesatare është rritur në Afganistan në 1.8 gradë Celsius në periudhën 1950-2010, që përbën dyfishin e temperaturës mestare globale.
Shirat e rrëmbyeshëm kanë qenë prezentë për disa dekada në Afganistan.
Mirëpo sipas ekspertëve, shirat e rrëmbyeshëm mund të mos jenë më aq prezentë në këtë shtet.
Ata presin përkeqësim të thatësisë, duke prekur 85 për qind të afganëve që varen nga bujqësia për të mbijetuar.
I kombinuar me pandeminë e koronavirusit, luftën dhe krizën ekonomike, që ka goditur Afganistanin prej marrjes së pushtetit nga talibanët, moti ekstrem ka përballur miliona persona me uri.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se rreth 23 milionë afganë janë në krizë apo do të përballen me “emergjencë për ushqim në periudhën nëntor 2021- mars 2022”.
“Shitja e organeve”
Njëri prej tyre është Mohammad, fermer 25-vjeçar nga provinca Farah.
“Thatësia ka ndikuar shumë në drunj dhe në bagëti”, ka thënë Mohammad për Radion Azadi.
“Korrjet e grurit kanë rënë shumë të vogla këtë vit, në krahasim me të kaluarin. Kafshët e mia nuk kishin çfarë të hanin. Andaj i kam shitur me çmim të lirë”.
“Kjo thatësi është më e rëndë sesa e vjetëve të kaluar”, ka shtuar Mohammad.
“Reshjet vjetore po bien. Shumë njerëz kanë hapur puse shumë thellë në tokë. Por edhe ato po thahen, ditë pas dite”.
Radio Azadi ka dokumentuar disa raste kur banorët në perëndim të Afganistanit kanë shitur njërën veshkë për të ndihmuar familjen që të mbijetojë.
“Faleminderit Zotit, kjo gjë nuk na ka prekur neve në atë shkallë që të shesim organe, siç kanë bërë të tjerët”, ka thënë Mohammad.