Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi dhe ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim kanë bërë një vizitë në shkollën “Sadik Stavileci”, për promovimin e Programit të Mikrobursave Access në gjuhën angleze (English Access Microscholarship), i cili mbështetet nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Ky program synon thellimin e njohurive në gjuhën angleze, me qëllim aftësimin e nxënësve shqiptarë për pjesëmarrje aktive në zhvillimin e vendit, si dhe u jep atyre mundësinë që të mësojnë rreth kulturës dhe vlerave amerikane.
Ministrja Kushi falënderoi Ambasadën Amerikane dhe SHBA për mbështetjen që i japin Shqipërisë në shumë fusha, por sidomos në arsim.
Përfitues të Programit të Mikrobursave në gjuhën angleze (Access) janë nxënësit e shkëlqyer, si dhe ata që vijnë nga familje në pa mundësi ekonomike.