Nga samiti i klimës në Glasgow, ka një rezultat konkret: mbi 100 liderët globale që po marrin pjesë në konferencë do të nënshkruajnë zotimin e përbashkët për t`i dhënë fund shpyllëzimit deri në vitin 2030. Deklarata do të nënshkruhet gjatë bisedimeve për klimën nga liderët e vendeve që së bashku përbëjnë 85 për qind të pyjeve të botës, thote zyra e kryeministrit britanik, Boris Johnson. Mes firmëtarëve janë edhe Brazili e Indonezia që kanë disa prej pyjeve më të mëdha dhe më të rrezikuara të globit. Ky për Boris Johnson, është një hap i madh përpara sa i takon mbrojtjes së pyjeve nëpër botë.

Në mbështetje të këtij zotimi do të vijnë dhe përpjekjet për të siguruar 12 miliardë dollarë financime publike nga 12 vende, deri në vitin 2025. Këto fonde do të ndihmojnë aktivitetet në vendet në zhvillim, përfshirë trajtimin tokës së degraduar dhe atë të zjarreve, ndërsa përkrahen në të njëjtën kohë të drejtat e komuniteteve indigjene”, thuhet në deklaratë.

Ekspertët e mirëpritën zotimin, por kujtuan sesi një marrëveshje e mëparshme, në vitin 2014, “dështoi plotësisht që të ngadalësonte shpyllëzimin”. E kemi kaluar një herë këtë, thote Simon Lewis, ekspert për klimën dhe pyjet në Kolegjin Universitar të Londrës, dhe shton se deklarata e atëhershme e Nju Jorkut bëri bujë të madhe, por nuk arriti ta ngadalësojë fare shpyllëzimin.