Argjentina e ka siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2022, pasi një pikë nga barazimi pa gola me Brazilin të martën i mjaftoi falë disfatave të Kilit dhe Uruguait.

Kampionia e Amerikës Jugore iu fut ndeshjes kundër rivalit të përbetuar e vetëdijshme se një fitore do t’i mjaftonte për ta siguruar biletën, por se një barazim mund t’i kryente punë, raporton Gazeta Express.

Humbja e Kilit 2:0 në shtëpi kundër Ekuadorit dhe disfata e Uruguait 3:0 ndaj Bolivisë, e dërguan Argjentinën në Katar.

Kjo e përmbyllë një vit të mrekullueshëm për Argjentinën dhe Lionel Messin, të cilët e fituan Kupën e Amerikës në korrik, duke e mundur 1:0 Brazilin në Stadiumin Maracana në Rio de Janiero.

Messi luajti titullar mbrëmë, pasi u riaftësua plotësisht nga lëndimet në gju dhe kofshe, por për Brazilin mungoi ylli Neymar.

Por Messi nuk qe në gjendje ta frymëzojë ekipin e tij në një ndeshje me pak raste shënimi, kundër një kundërshtari që tashmë e kishte siguruar pjesëmarrjen në Botëror pas fitores 1:0 kundër Kolumbisë të enjten.

Brazili është lider i Grupit kualifikues në Amerikën Jugore, gjashtë pikë larg Argjentinës që është e dyta.

Argjentina është e pamposhtur në 27 ndeshjet e fundit.