Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, dhe drejtuesi politik i qarkut të Fierit, Taulant Balla ishte sot për të shprehur ngushëllimet në familjen Vasiu pas vrasjes së 8-vjeçarit ditën e djeshmen.
Në një prononcim për mediet pas vizitës në familjen Vasiu në Fier, Balla u shpreh se, “sot nuk gjenden fjalët për të shprehur ngushëllimet ndaj familjes. Është një ngjarje tepër e rëndë, e cila ka prekur çdo shqiptar dhe natyrshëm ne që jemi prindër më shumë se të tjerët. Ajo që na bën sot të jemi të gjithë përgjegjës për ngjarjen është nevoja të kërkojmë në mënyrë të menjëhershme nga Prokuroria dhe Gjykata një ndëshkim maksimal për këtë kalbësirë të shoqërisë, i cili duhet të kalbet në burg përfundimisht”.
“Bashkë me kryetarin e bashkisë kemi qenë sot pranë familjes. Këshilli bashkiak i Fierit ka miratuar menjëherë një ndihmë financiare për familjen dhe ndërkohë që ne do t’i gjendemi në ditët në vijim pranë familjes. Fjalë për të ngushëlluar këtë familje nuk gjenden dhe në këtë aspekt jemi po aq të trishtuar sa ata dhe të gjitha institucionet shtetërore duhet sot të vendosin pikëpyetjet e tyre për reagimet që duhen pasur për persona të tillë”, tha Balla.
“Një person që ka qenë i dënuar më parë dhe për një krim të ngjashëm edhe pse ka marrë ndëshkimin ne duhet të rrisim përmes strukturave shtetërore më shumë aftësitë parandaluese të shtetit. Nga ana e bashkisë janë bërë të gjitha përpjekjet për riintegrimin në shoqëri të një individi të tillë, duke i ofruar një vend pune me qëllim që të parandalohen këto lloj ngjarjesh”, shtoi Balla.
I pyetur për rikthimin e dënimit me vdekje Balla tha se, “Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës dhe kushti i parë ka qenë heqja e dënimit maksimal me vdekje”.
“Ajo që parashikon sot është dënim me burgim të përjetshëm dhe ky është ndëshkimi maksimal që njeh sot Kodi Penal i Shqipërisë. I bëj thirrje Prokurorisë të mos i zgjasë shumë hetimet si dhe Gjykatës të japë dënimin maksimal. Nuk e qetëson dot shpirtin e familjes dhe shoqërisë shqiptare, por është dënimi maksimal që duhet të jepet”, deklaroi Balla.