Dëgjesat publike të kryebashkiakut të Matit Agron Malaj dhe administratës lokale për buxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2022 janë drejt përfundimit në tetë njësitë administrative të kësaj bashkie.
Banorët pasi shprehin mendimet e tyre rreth buxhetit dhe problemeve që ato kanë në çdo lagje, fshat a njësi administrative thonë se në 30 vite nuk është investuar sa dy vitet e fundit.
Naim Lezaj, kryetar i fshatit Shoshaj në njësinë vendore të Lisit tha se: “Askush nuk e mendonte se do të zhdukeshin pirgjet me plehra në rrugën nacionale Burrel-Komsi. Fermerët e Luginës së Matit, sidomos ato të Shoshaj-Zenishtit, nuk e besonin se Kanali i Klosit do të vadiste tokat e tyre pas 30 vitesh. Askush nuk ka punuar më shumë për riparimin e rrugëve rurale, kanaleve, shkollave, kopshteve, lulishteve e trotuareve.”
Ndërkohë kryetari i fshatit Prell Isuf Kica, njësia administrative Rukaj tha se investimet janë të prekshme kudo, nga Ulza në Macukull. “Miliona euro po investohen për ndërtimin e ujësjellësit të Zallë Gjoçajve, vepër që do të furnizojë me ujë 18 fshatra dhe qytetin e Burrelit. Dikur ëndërr dhe tani po bëhet realitet falë qeverisë Rama dhe kryetarit të Bashkisë Agron Malaj. Është investuar për kanalet vaditëse në të gjithë fshatrat e Matit. Ndryshimet janë të prekshme dhe në favor të qytetarëve”, tha Kica.