Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ftuar në emisionin Open në Top Channel këtë të enjte rrëfeu se Sali Berisha i ka thënë se nuk vë asnjë para vetes së tij, as partinë dhe as demokratët.
Kujtojmë se Lulzim Basha dhe Sali Berisha i kanë shpallur luftë njëri-tjetrit, pasi ky i fundit u përjashtua nga Grupi Parlamentar i PD-së, pasi ishte shpallur ‘non grata’ nga SHBA-ja.
Pas këtij vendimi, Berisha vijon luftën politike me anë të foltoreve të mbajtura me mbështetësit e tij në qytetet e vendit.
Berisha e akuzon Bashën se është marrë peng nga Rama dhe po bashkëpunojnë, gjë që është hedhur poshtë nga kryedemokrati.
Kujtojmë se me datë 10 nëntor, ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij dorëzuan firmat e mbledhura në selinë e PD-së, me qëllim mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar më datë 11 dhjetor.
Ndërkohë ka pasur thirrje për dy Kuvende me data të ndryshme.
Më 15 nëntor, kryetari i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha në fjalën e tij gjatë takimit me anëtarët e Kryesisë së PD-së, ka theksuar se “11 dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD-së, në ditën e izolimit të PD-së”.
Kreu i demokratëve ka zyrtarizuar datën 18 dhjetor për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, e cila është kundërshtuar me forcë nga ish-kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij.
Lulzim Basha nuk e njeh Kuvendin e shpallur nga paraardhësi i tij dhe ka kërcënuar me përjashtuam këdo që shkel interesat politike dhe elektorale te partisë, duke nisur me Sali Berishën.